Alqi Bllako dhe Belinda Balluku ishin dy zyrtarë socialistë, për të cilët SPAK kërkoi heqjen e imunitetit, por ata nuk u përballën me të njëjtin qëndrim nga kryeministri i tyre. Këto dy raste tregojnë dy standardet me të cilat Edi Rama e interpreton dhe e aplikon ligjin, kur bëhet fjalë për imunitetin parlamentar.
“Para ligjit nuk ka deputetë, nuk ka ministra, nuk ka forcë, nuk ka të privilegjuar, janë të gjithë të barabartë…”, deklaroi Rama në mars 2022, kur SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të Bllakos për aferën e inceneratorëve.
Situata u paraqit atëherë sipas parimit se përpara ligjit të gjithë janë të barabartë dhe askush nuk duhet të fshihet pas imunitetit. Në të njëjtën frymë, edhe më pas Rama deklaroi se për këdo ndaj të cilit drejtësia ngre një akuzë, Partia Socialiste nuk do të bëhet mburojë politike.
“Ne nuk do të jemi avokati i askujt”, ishte mesazhi i tij, duke shtuar se çdo kërkesë e ardhur nga SPAK do të miratohej pa u vënë në diskutim.
Sot qasja duket krejt tjetër. Rama dhe partia e tij deklarojnë se heqja e imunitetit të Ballukut nuk është e nevojshme, sepse deputetja “as nuk do largohet dhe as nuk mund të prishë provat”.
Në këtë rast, imuniteti nuk trajtohet më si një çështje proceduriale, por si një mburojë politike. Pra tjetër standard aplikohet për një deputet larg qendrës së pushtetit dhe tjetër standard kur ai ka qenë në zemër të tij.
Mënyra se si po trajtohet rasti i Ballukut krijon dyshimin se standardi nuk përcaktohet nga parimi, por nga frika për pasojat që mund të ketë një hetim më i thellë.
Duket se në politikën tonë mbrojtja nuk bëhet gjithmonë për parime. Ajo bëhet për të kontrolluar dëmin. Dhe kur një deputete që deri dje ishte figurë e rëndësishme e pushtetit mbrohet me kaq vendosmëri, problemi mund të mos jetë vetëm fati politik i saj politik, por frika se ajo mund të marrë me vete të tjerë, nëse drejtësia shkon deri në fund./News24
