
Ekspertët shpjegojnë pse ndodh, kur është normale dhe kur kërkon vizitë te mjeku
Lëngu sinovial, tendinat dhe ligamentet që fërkohen përgjatë kockave shpesh krijojnë zhurma me kalimin e moshës dhe nga qëndrimi i keq. Kjo e bën më të shpeshtë kërcitja në qafë.
Kërcitja në qafë, i njohur mjekësisht si krepitacion, zakonisht është e padëmshme. Aijoshpesh shkaktohet nga shpërthimi i flluskave të gazit në lëngun sinovial (lëngu i nyjeve), ose nga lëvizja e tendinave dhe ligamenteve përgjatë kockave. Ky fenomen është më i zakonshëm me kalimin e viteve dhe përkeqësohet nga qëndrimi i gabuar i trupit.
Megjithatë, nëse kërcitja shoqërohet me dhimbje, ënjtje ose ngurtësi, ajo mund të tregojë probleme themelore si artriti, sëmundjet degjenerative ose dëmtimet, ndërsa në këto raste kërkohet ndihmë mjekësore.
Pse dëgjojmë shpesh “klik” në qafë?
Kjo zhurmë përshkruhet si një krisje ose kërcitje që ndodh gjatë rrotullimit të kokës. Kur e ktheni kokën ose përkulni qafën, ju shtrini kapsulat e vogla që mbështjellin nyjet e qafës.
Kapsulat janë të mbushura me lëng; gjatë shtrirjes, presioni brenda tyre bie dhe një pjesë e lëngut shndërrohet në flluska gazi, duke krijuar tingullin karakteristik të krisjes.
Sipas ekspertëve, ky proces në vetvete nuk është i dëmshëm.
Dr. Andrew Bang, kiropraktik në Cleveland Clinic, shpjegon: “Qafa ka nyje facete, të vogla, të vendosura në të dyja anët e rruazave. Kur ato shtrihen, në kapsulë krijohen flluska gazi që prodhojnë kërcitjen. Prandaj, për shumë njerëz, sjell një ndjenjë lehtësimi, sikur të jetë ulur presioni në atë zonë”, transmeton Telegrafi.
Shkaqet e kërcitjes në qafë
Kërcitja në qafë mund të ndodhë për tri arsye kryesore:
Presioni negativ në nyje – krijohet një vakuum brenda kapsulës që lëshon gaz dhe prodhon tingull.
Lëvizja e ligamenteve dhe tendinave – kur ato kalojnë mbi kocka ose struktura të tjera, shkaktohet zhurmë.
Shkëputja e lëkurës nga fascia – një shtresë indi lidhës nën lëkurë; ndarja e saj mund të prodhojë krisje.
Kur bëhet e rrezikshme?
Një kërcitje e herëpashershme dhe e lehtë nuk është e rrezikshme. Problemi lind kur është shumë e shpeshtë ose e dhunshme.
Sipas Dr. Bang, pasojat e mundshme janë:
Bllokimi i nervit – lëvizjet e forta ose të papritura mund të ngjeshin një nerv, duke shkaktuar dhimbje të forta dhe kufizim të lëvizshmërisë.
Tendosja e muskujve dhe nyjeve – shtrirja e tepërt mund të dëmtojë muskujt dhe ligamentet përreth, duke shkaktuar ngurtësi.
Hipermobiliteti – te disa njerëz që kanë natyrshëm nyje më elastike, shfaqet nevoja e vazhdueshme për të “krisur qafën”. Me kohën, ligamentet mund të zgjaten përhershëm, duke rritur rrezikun për osteoartrit.
Situata të rralla, por serioze – në raste të veçanta, kërcitja mund të dëmtojë enët e gjakut të qafës dhe të rrisë rrezikun për goditje në tru (insult).
Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore?
Kontakti me mjekun rekomandohet nëse pucketimi shoqërohet me:
Dhimbje ose ngurtësi që përsëritet.
Ënjtje në qafë – mund të tregojë grumbullim lëngu, dëmtim ose infeksion.
Dhimbje kronike në nyjen e qafës pa shkak të qartë.
Kufizim në lëvizshmëri, që mund të vijë nga plakja ose nga sëmundje si osteoartriti.
Kujdes me kiropraktikën
Edhe pse manipulimet kiropraktike mund të lehtësojnë presionin dhe të përmirësojnë lëvizshmërinë e qafës, Dr. Bang paralajmëron se nuk duhet tepruar.
Përdorimi i shpeshtë mund të shkaktojë lëshim të tepërt të nyjeve, gjë që është e padëshiruar. Sipas tij, maksimumi një herë në javë është i pranueshëm; më shpesh se kaq, rrezikohet stabiliteti i nyjeve të qafës.