Vullnet Bugaqku nga KDI ka bërë të ditur se Kushtetuta e Kosovës përcakton gjashtë situata që mund çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare:
Dështimi i zgjedhjes së Qeverisë për dy herë radhazi.
Mosformimi i Qeverisë brenda 60 ditëve nga caktimi i mandatarit.
Moszgjedhja e Presidentit brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës.
Dështimi i zgjedhjes së Presidentit pas tri raundeve të votimit.
Shpërndarja e Kuvendit me votën e dy të tretave të deputetëve.
Shpërndarja nga Presidenti pas votës së mosbesimit ndaj Qeverisë (opsionale).
Bugaqku thekson se afati 30 ditor për zgjedhjen e Presidentit është procedural dhe nuk ka sanksione të drejtpërdrejta nëse nuk respektohet.
Postimi i plotë:
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në mënyrë të qartë, ka përcaktuar gjashtë (6) kritere apo rrethana kushtetuese që mund ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme mund të bëhet në këto rrethana:
1. Nëse dështon zgjedhja e Qeverisë për dy herë radhazi (neni 95, paragrafi 4 i Kushtetutës);
2. Nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk formohet Qeveria (neni 82, paragrafi 1, pika 1 e Kushtetutës);
3. Nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës (neni 82, paragrafi 1, pika 3 e Kushtetutës);
4. Nëse dështon procedura e zgjedhjes së Presidentit pas zhvillimit të tri raundeve të votimit (neni 86, paragrafi 3 e Kushtetutës);
5. Nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve (neni 82, paragrafi 1, pika 2 e Kushtetutës);
6. Gjithashtu, Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës pas votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë (situatë fakultative, jo detyruese – neni 82, paragrafi 2 i Kushtetutës).
Sqarim: Afati 30 ditor i përcaktuar në Kushtetutë, për zgjedhjen e Presidentit para skadimit të mandatit të Presidentit aktual është obligim kushtetues procedural por nëse nuk respektohet, nuk ka sanksion eksplicit kushtetues, ligjor dhe politik për Kuvendin e Kosovës.
