Lajme

Kurban Bajrami në Mekë, miliona myslimanë përfundojnë ritualet e Haxhit

Mbi 1.6 milionë myslimanë e përmbyllën para agimit të premtes ritualin e Haxhit, duke hedhur gurë ndaj djallit në Luginën e Minas, në periferi të Mekës, në një nga momentet më të fuqishme shpirtërore të pelegrinazhit më të madh islam.

Rituali simbolik i gjuajtjes me shtatë gurë ndaj secilit prej tre mureve që përfaqësojnë djallin, shënon fundin e Haxhit dhe fillimin e festës së madhe të Kurban Bajramit për miliona myslimanë në të gjithë botën.

Pamjet nga Xhamia e Madhe në Mekë treguan mijëra besimtarë që falën namazin e Bajramit në vendin më të shenjtë të Islamit. Edhe në Jerusalem, lutjet e Bajramit u mbajtën jashtë xhamisë Al-Aksa – një tjetër simbol kyç për myslimanët.

Por ndryshe nga atmosfera e qetë në Mekë, në Gaza dhe Liban, festa u prit me trishtim dhe frikë.

Në Khan Yunis të Gazës, besimtarët falën Bajramin mes rrënojave të xhamisë Al-Bani, e cila ishte shkatërruar nga sulmet ajrore izraelite. Ndërkohë, në prag të festës, Izraeli goditi periferitë jugore të Bejrutit, duke pretenduar se kishte shënjestruar një bazë nëntokësore për prodhimin e dronëve të Hezbollahut.

Këto zhvillime ndodhën vetëm një ditë pas grumbullimit të miliona pelegrinëve në malin Arafat, ku ata recituan vargje nga Kurani dhe u lutën në vendin ku besohet se Profeti Muhamed mbajti predikimin e tij të fundit.

Autoritetet saudite zbatuan masa të rrepta për t’iu shmangur tragjedive të vitit të kaluar, kur mbi 1.300 persona humbën jetën për shkak të temperaturave ekstreme gjatë Haxhit.


Të Ngjashme