Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Politik

Kurti bën homazhe në 45-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

 
   

Në 45-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, nga agjentët e UDB-së famëkeqe, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, bashkë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, në fshatin Dubovik.

Kryeministri Kurti tha se sot bëjnë nderime, duke kujtuar se si, edhe para suprimimit të autonomisë, vendi ka pasur patriotë të jashtëzakonshëm, veprimtarë të paepur, të cilët u flijuan duke sakrifikuar gjithçka për shtetin dhe lirinë, të cilën e kemi dhe e gëzojmë sot.

“Edhe para luftës, shqiptarët nën Jugosllavi e Serbi nuk kishin paqe dhe për këtë janë dëshmi edhe demonstratat e shumta të organizuara, por gjithashtu edhe ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë”, u shpreh kryeministri.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u vranë më pak se një vit, pas demonstratave të vitit 1981, në kohën kur organizata të shumta të fshehta të kohës po bëheshin bashkë dhe Jugosllavia e Serbia, i goditën pikërisht Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, atëherë kur po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha organizimi për Republikën e Kosovës dhe për çlirimin e popullit tonë, u shpreh ndër të tjerash.

Jusuf Gërvalla, gjithashtu, tha Kryeministri, përveçse patriot, ishte edhe publicist, poet e shkrimtar, krijues, gazetar e intelektual, të cilit edhe kjo veprimtari artistike, e pasur, ju ndërpre përgjysmë.

“Prandaj, me vrasjen e Jusufit, nuk kemi humbur vetëm një veprimtar dhe nuk është shtyrë vetëm bashkimi i organizatave shqiptare të asaj kohe, por njëkohësisht kemi humbur edhe një veprimtari artistike e kulturore, e cila nuk u shtrua asnjëherë për shkak se jeta e tij u këput përgjysmë”, tha ai.

Kryeministri Kurti theksoi se progresi e siguria që ka shteti sot, faktorizimi i kombit shqiptar në përgjithësi, jo vetëm në Ballkan, është dëshmi që populli në përgjithësi ka ecur rrugës së tij dhe se ato flijime e sakrifica, padyshim që ia kanë vlejtur fort.