Lajme

Kurti del sërish me propozim të ri

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, që të dalë publikisht dhe të deklarojë se deputetët e grupit parlamentar të PDK-së do të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentes.

Kurti ka propozuar që Kuvendi të zhvillojë një seancë me dy pika të rendit të ditës, ku fillimisht do të votohej projektligji për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas do të votohej për presidenten.

“Le të dalë publikisht sonte, pas meje menjëherë, që të gjithë deputetët e grupit parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votë në zgjedhjen për president”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se projektligji për Dhomat e Specializuara do të votohej paraprakisht.

“Ne po e votojmë projektligjin për Dhomat e Specializuara paraprakisht. Pra, jo më pas, përpara. Një seancë me dy pika: pika e parë, leximi i dytë i projektligjit mbi Dhomat e Specializuara e ka votën tonë. Dhe mandej votimi për presidente”, ka thënë Kurti.

Në këtë kontekst, Kurti ka përmendur edhe emrin e Justina Shiroka-Pulës, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ish-ministre e PDK-së në Qeverinë Thaçi I.

Të Ngjashme