Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Komisionerin e Lartë të OSCE-së për Minoritetet, Christophe Kamp.
Zyra e Kryeministrit njofton se gjatë takimit, kryeministri Kurti ka falënderuar Komisionerin Kamp për vizitën, për letrën dhe rekomandimet e tij, duke theksuar që Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet plotësisht me konstatimin e tij që përgjegjësia bie mbi serbët lokal të shfrytëzojnë të drejtat e garantuara në Kosovë.
Kryeministri ka theksuar se korniza ligjore e Kosovës është e ndërtuar mbi një model fuqizues, që mundëson pjesëmarrjen aktive të komuniteteve, por që kërkon edhe angazhim dhe pronësi lokale për shfrytëzimin e të drejtave të garantuara.
Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet pozitive lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe hapat e radhës drejt integrimit të plotë të shëndetësisë dhe arsimit në pjesën veriore të Republikës, brenda kornizës ligjore të Kosovës.
Në fushën e të drejtave gjuhësore dhe të komuniteteve, kryeministri Kurti ka informuar për hapat konkretë të ndërmarrë nga Qeveria, përfshirë hapjen e pozitave të drejtorit të Departamentit për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, si dhe atë të Komisionerit për Gjuhët, si dhe angazhimin për rritjen e kapaciteteve për harmonizim gjuhësor.
Në përfundim, Kurti ka theksuar se faza e ardhshme nuk ka të bëjë me zgjerimin e të drejtave, por me thellimin e përdorimit të tyre përmes ndërtimit të besimit, angazhimit të komuniteteve dhe qasjes së plotë në institucione.
