Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti falënderon Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen ndaj Kosovës

 
   

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ka marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili këtë vit është mbajtur në Londër. Në prag të nisjes së punimeve të Samitit, delegacioni është mirëpritur në Pallatin mbretëror St. James nga vetë Madhëria e Tij, Mbreti Charles III.

Në margjinat e Samitit, Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me liderë shtetërorë nga vendet anëtare të BE-së dhe rajonit.

Ai ka takuar Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, Kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, si dhe ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad.

Postimi i plotë:

Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt në Londër, u mirëpritëm nga Madhëria e tij, Mbreti Charles III, në Pallatin mbretëror St. James.

Ndërkohë para fillimit të Samitit ditën e sotme dhe në margjina të tij, u takuam e bashkëbiseduam me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, Kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ministrin Francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad dhe liderë të tjerë shtetërorë nga vendet anëtare dhe rajoni.

Në fokus të diskutimeve që i zhvilluam ishin temat kryesore të Samitit të qendërzuara rreth sigurisë, rritjes ekonomike dhe migracionit, por diskutuam edhe mbi çështjet rajonale dhe integrimin evropian.

Shpreha mirënjohjen ndaj Mbretërisë së Bashkuar për organizimin e Samitit, për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës dhe bashkëpunimin tonë të fuqishëm bilateral.