
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti pati një përplasje me gazetaren e Klan Kosovës në momentin kur ajo e pyeti se si është transformuar shëndetësia, kur mungojnë shumë barna esenciale.
Kurti iu drejtua asaj duke i thënë se pronari i mediumit të saj fillimisht duhet t’ia kthejë mbi 62 milionë euro Telekomit të Kosovës, e më pas siç tha ai të flet për mungesë të barnave.
Kurti: Gazetare ju i thoni pronarit tuaj që t’ia kthejë 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës, lëri albuminat
“Për transformimin e shëndetësisë nuk ka dilema. I kemi prezantuar tek rezultatet tona katërvjeçare. Ndërkaq, zonja gazetare ju i thoni pronarit tuaj, televizionit tuaj që t’ia kthejë 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës, lëri albuminat. Së pari 62.6 milionë euro duhet t’ia kthejnë Korporata Devolli Telekomit të Kosovës, pastaj flisni për albumina”, tha Kurti.
Ndërkaq, Vitia ku u pyet për mungesë të albuminave dhe disa barnave të tjera, tha se ka pasur vonesa, porse nuk ka mungesë.
Vitia: Sapo dhatë disa keqinformime, sepse albumina ka, janë vonuar
“Sapo dhatë disa keqinformime, sepse albumina ka…Janë vonuar. Të lutem për një trohë mirësjellje dhe më lërë të përgjigjemi. Albumina ka. Ka pasur vonesa, dy ose tri javore, për shkak se është vonuar në sjelljen e albuminave nga operatori ekonomik. Këto vonesa kanë qenë të zakonshme çdo herë…Si gazetare është mirë që ta merrni vesh nëse ka apo jo. Nuk janë shumë të tjera. Ju lutem, dërgoni me një email dhe për çdo bari që mungon do ta merrni përgjigjen brenda dy tri ose dite”, tha Vitia.
Këto diskutime u bënë me rastin e vizitës së Kurtit dhe Vitisë në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën klinike Universitare të Kosovës, ku po realizohen disa punime.
Ndërkohë, ka reaguar Klan Kosovë, duke theksuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka pasur sjellje të papranueshme ndaj gazetares së Klan Kosova, Arbreshë Uka, gjatë një deklarimi para gazetarëve në QKUK.
Pasi vizituan Klinikën e Kardiologjisë bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, gazetarja e Klan Kosova kërkoi llogari nga Vitia për mungesën e albuminës, por u përballë me një qasje të ulët të Kurtit.
Ndonëse Vitia u përgjigj për këtë çështje, duke thënë se “albumina ka, porse ka pasur vonesa afro tri javore pasi është vonuar sjellja e tyre nga operatori ekonomik”, ndërhyri kryeministri në detyrë.
“Ndërkaq znj. gazetare ju i thoni pronarit tuaj, pronarit të televizionit tuaj që t’ia kthejë 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës. Leji albuminat. 62.6 milionë euro duhet t’ia kthejë Korporata Devolli Telekomit të Kosovës, pastaj flisni për albuminat”, tha Kurti në drejtim të gazetares Uka, e cila iu kundërpërgjigj se po kryen punën e vet.