Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, ku po diskutohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se vendi ka mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se dështimi do ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
“Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Dështimi e dërgon vendin në zgjedhje të reja, që do të ishin të pestat me radhë brenda 16 muajve. Pra, pothuajse çdo stinë të vitit do të kishim zgjedhje. Zgjedhjet e reja do të frenojnë punën e Qeverisë”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se akuzat ndaj Vetëvendosjes për shmangie nga përgjegjësia nuk qëndrojnë.
“Akuzat se VV-ja ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur as në mars të vitit 2021, as në shkurt të këtij viti, asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme”, u shpreh ai.
Kurti foli edhe për respektimin e rezultateve zgjedhore, duke kritikuar opozitën për, siç tha ai, keqpërdorim të termit “nënshtrim”.
“Rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe respektimi i rezultateve nuk është nënshtrim. Ky është një term i keqpërdorur nga opozita. Nëse ka një ‘nënshtrim’, ai është verdikti i qytetarëve”, ka thënë Kurti.
