Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shënuar Ditën e Kushtetutës duke theksuar rëndësinë e saj si akti më i lartë juridik që garanton funksionimin demokratik të shtetit dhe të drejtat e qytetarëve.
Kurti rikujtoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës përfaqëson bazën juridike të institucioneve dhe mishëron vullnetin për një shtet të pavarur, demokratik dhe të barabartë
Postimi i plotë:
Sot, në Ditën e Kushtetutës, rikujtojmë aktin themeltar normon vullnetin dhe të drejtat e qytetarëve për një shtet të pavarur e të lirë, demokratik dhe të barabartë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është baza juridike e institucioneve tona, që garanton funksionimin e tyre demokratik për të mirën e qytetarëve të Republikës, në shërbim të interesit publik dhe në frymën e sovranitetit shtetëror.
Ajo orienton vendimmarrjen politike dhe përcakton standardet e veprimeve. Në çdo rrethanë, ajo kërkon përkushtim të vazhdueshëm nga të gjithë mekanizmat dhe bartësit e përgjegjësive zyrtare, që në ushtrimin e mandatit të tyre të qëndrojnë me integritet, të sjellen me maturi dhe të tregojnë besnikëri ndaj kushtetutshmërisë.
Në këtë kuadër, roli i institucioneve të sistemit që i jep kuptim përfundimtar normës kushtetuese mbetet thelbësor si për besimin e mbështetjen popullore ashtu edhe për ruajtjen e ekuilibrave të pushteteve përbrenda rendit kushtetues.
Në këtë ditë, riafirmojmë angazhimin tonë për përgjegjësi të lartë shtetërore e qytetare, duke e parë këtë si garanci të paqes e demokracisë, për drejtësi e siguri, në të tashmen dhe të ardhmen tonë evropiane.
