Lajme

Kurti mbetet figura kryesore, Zeqiraj: Osmanin e ndjek sfida politike

Opinionisti Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota Sot”, ka komentuar gjendjen aktuale të skenës politike në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se afati për zgjedhjen e presidentit/es po mbaron, por ende nuk ka mbështetje të qartë për Vjosa Osmanin për mandat të dytë.

Sipas tij, mosmarrëveshjet mes Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurti dhe qëndrimi i Kurtit ndaj SHBA-së janë faktorë kyç në këtë proces.

Image
Opinionisti Idriz Zeqiraj

 “Afati i zgjedhjes të presidentit/es, është reduktuar në 6 ditëshin e fundit. Pozita që duhet ta udhëheq këtë proces zgjedhor, deri më tani, nuk ka treguar gatishmëri për ta mbështetur kandidaturën e Vjosë Osmanit, për një mandat të dytë presidencial. Arsyeja e rebelimit të mirëfilltë të presidentes Osmani, karshi Kurtit, asnjëherë nuk është mësuar, në masën e duhur.

Përfolje ka se qëndrimi i Kurtit ndaj Amerikës, ishte shpërfillës. Ai vazhdon të jetë i dyzuar, flirton me socialistët e majtë të Evropës dhe të botës. Dikur mendonte se “Amerika ishte partner i luftës, i të kaluares, por jo partner i të sotmes dhe të ardhmes”! Kjo, jo vetëm që nuk ishte dhe nuk është reale, por është blasfemi. Ai deklarim i Kurtit mund të përligjej, nëse Kosova do të kishte një partner më të fuqishëm ekonomikisht, ushtarakisht, dhe miqësisht, se sa Amerika. Absolutisht, Kosovës i ka munguar dhe i mungon edhe sot një partner i nivelit amerikan. Fatmirësisht, kryeministri Albin Kurti ka reflektuar dhe, aktualisht, referenca e parë e tij është Amerika. Dhe, kjo i ngushëllon dhe i gëzon shqiptarët atdhetarë të kudondodhur. Përjashtim bëjnë soji racor të enveristëve-stalinistë, të cilët, mjerisht, i kanë shkaktuar Shqiptarisë vuajtje dhe gjakderdhje brenda shqiptare!

Një marrëveshje e përfolur se është biseduar në Bruksel dhe Ohër, por nuk është nënshkruar nga palët. përkatësisht, Kurti- Vuçiq, konsiderohet më e egër, më e keqe, se sa ajo e vitit 2013, e bërë nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, ku ai lloj “menaxhimi”, ka elemente të autonomisë. Sidoqoftë, një shpjegim, transparencë, duhet ta kishte bërë Kurti, qoftë brenda koalicionit dhe, pse jo, edhe në Kuvend. Dhe, mbi të gjitha, presidentja duhej të ishte informuar për rrjedhën e bisedimeve. Thonë se Kurti është inatçi i madh dhe nuk e falë Vjosen për atë shprehjen publike se “po luan bixhoz me ndërkombëtarët” dhe plus diçka tjetër, që tejkalonte standardin postit kulmor”, ka thënë ai.

 Sipas Zeqirajt, ndryshimet politike të koalicionit Guxo–Alternativa dhe përfshirja e PSHDK-së janë pozitive.

“Një tjetër arsye përmendet se Kurti kërkon kuadro inferiorë, të cilët i bindën urdhrit të shefit, për të kërkuar arsyen e urdhrit të dhënë. Por, Vjosë Osmani ka integritet dhe personalitet që nuk i bindet askujt verbërisht, qoftë edhe kryeministrit Kurti. Ai mendon edhe më larg. Forcimi politik që mund t`i japë Vjosës posti dytë presidencial, do të mund ta konkurronte Kurtin në të ardhmen, qoftë edhe paksa të largët.

“Siguro 30 firmat, për ta fituar të drejtën e konkurrimit për postin e presidentes”, – të thëna Vjosës, tingëllon si cinike, ndërkohë që ajo në 5 (pesë) vitet si presidente, është jashtë organizimit partiak. Indiferenca e Albin Kurtit ndaj kandidaturës të Vjoses, nuk duket edhe aq fisnike, bazuar në suksesin dhe shërbimin e madh që i dhuruan Kosovës dhe shqiptarëve të kudondodhur. Të presim, ndoshta Albini është në agjendën, në përputhje me dëshirën dhe vullnetin e shumicës absolute të shqiptarëve vendorë dhe botërorë.

Së bashku me partneret Guxo dhe Alternativa, bënë ndryshimin sa të madh, aq edhe cilësor. Bënë mirë që afruan në koalicion PSHDK, si subjekt i hershëm me orienntim të djathtë dhe atdhetar. Bandat politike në shtet, janë të rrezikshme. Por, kur këto banda janë në pushtet, janë agresive. Dhe, banditizmin politik, e konvertojnë në ordinier, duke e përgjakur kundërshtarët politikë, siç veproi Qeveria e Përkohshme e Hashim Thait, për ta ruajtur pushtetin, njëjtë siç kanë vepruar fashistët dhe komunistët, përgjatë shekullit të kaluar”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Zeqiraj tha se LDK-ja dhe kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, kanë mësuar nga humbjet e mëparshme dhe synojnë t’i rikthejnë partinë në rrugën rugoviane, duke larguar klanizmat dhe intrigat që e dobësuan më parë.

Ai kritikon opozitën për destruktivitet dhe bashkëpunim me Serbinë, duke shkaktuar zgjedhje të panevojshme dhe humbje milionash për shtetin, ndërsa vlerëson se Albin Kurti mbetet figura kryesore dhe kryeministri më i mundshëm i Kosovës.

“Një kapitull i veçantë është LDK-ja dhe kryetari i saj Lumir Abdixhiku, i cili duket se ka mësuar nga humbja, pothuaj se, e imponuar nga intrigimet brenda dhe jashtë Kuvendit të fundit zgjedhor. Rrëfimi i tij, në një emision televiziv, ishte i sinqertë dhe bindës. Klani Mustafa gjithnjë në veprim. Realisht, ata e zbuluan veten se ishin partizan të PDK-së dhe donin humbjen e kryetar Lumirit. Këtë e kemi parë me shqetësim e dhimbje të thellë, sepse po e përjetonim rëndë shkërmoqjen e partisë, LDK-së, dikur krenare, shtet formuese dhe shtet ndërtuese, e cila e bëri paqen dhe luftën.

Bëmë shumë për ta ruajtur partinë, duke lejuar debatin brenda partiak dhe zgjedhjet e fshehta demokratike. U keqkuptuam, madje edhe nga disa miq e bashkëpunëtorë, dikur të përkushtuar në frymën rugoviane. Ata prisnin mrekullira, por korrën marrëzira!

Megjithatë, disfatizmi, aq shumë i proklamuar për LDK-në, duhet marrë me rezerva. LDK-ja ka qenë dhe duhet të mbetet faktor në spektrin politik të Kosovës, pavarësisht baticave dhe zbaticave, në të cilat vazhdon të përplaset. Premtimi publik i kryetarit Abdixhiku, se do t`i kthehet rrugës rugoviane, duke i lënë rrugicat qorre, ku e futën klanorët, për ta ngritur serishmi subjektin e parë pluralist në rajon dhe më gjerë.

Kurani islam i këshillon besimtarët, se “sharti i parë është me ia ditë hallin vetës”. Megallomania e opozitës, duke dëgjuar përrallëzimët e lukunisë mediatike, horra e zuzarë mercenarë, analistë e opinonistë, në Prishtinë dhe Tiranë, se “Kurti njëherë i ka mashtruar shqiptarët dhe nuk e votojnë më”, u korracuan në bllokadën e formimit të Institucioneve kuvendore dhe qeveritare. Për rrjedhojë, vendi shkoi në zgjedhje, duke i kushtuar miliona euro humbëse buxhetit të shtetit.

Opozita destruktive, e rrëmujshme e humbi torruan, “rrugën në oborr” dhe e pësoi në tri palë zgjedhje radhazi. Përgjatë qeverisjes Kurti 3, opozita e bashkuar u bë palë me Serbinë, në opozitarizmin e saj ideotesk dhe tërësisht kundra-kombëtar. Në të gjitha matematikat zgjedhore, Albin Kurti përsëri do të jetë i parë, do të jetë kryeministër i Kosovës. Atëherë, pse duhet shkuar serishmi në zgjedhje opozita, për ta shënuar humbjen dhe tupërimin e radhës?!”, ka përfunduar Zeqiraj.

Të Ngjashme