Lajme

Kurti me sekretarin e Shtetit për Punë të Brendshme të Gjermanisë, diskutojnë çështje që ndërlidhen me diasporën

Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC), kryeministri Albin Kurti, u takua me Sekretarin e Shtetit për Punë të Brendshme të Gjermanisë, Hans-George Engelke.

Kryeministri Kurti pranoi urimin dhe përgëzimet nga Sekretari i Shtetit Engelke për formimin e qeverisë së re.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit u theksua zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik i shtetit tonë, ndërsa pjesë e bashkëbisedimit ishin edhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, edhe në fusha si siguria dhe lufta kundër krimit.

“U diskutuan edhe çështje që ndërlidhen me qytetarët e Republikës së Kosovës në diasporë, përfshirë trajtimin e statusit të tyre shtetëror, një çështje tashmë e qartësuar dhe rregulluar në mënyrë që ata të mos konsiderohen më si shtetas të Serbisë, ndonëse ende ka raste me problematika të ngjashme”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Ndryshe, konferenca treditore e Sigurisë në Munih – ku marrin pjesë qindra liderë evropianë, ligjvënës, zyrtarë ushtarakë, akademikë dhe të tjerë – zhvillohet një vit pasi zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tronditi konferencën me kritika të ashpra, duke akuzuar Evropën për politika të rrezikshme lidhur me emigracionin dhe partitë e ekstremit të djathtë.

Konferenca e Sigurisë në Munih i mban punimet këtë vit më 13-15 shkurt në qytetin gjerman. Ajo konsiderohet konferencë me nam, për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve shtetërorë të niveleve më të larta.

Paraprakisht ishte raportuar se përveç Osmanit, në këtë konferencë do të merrnin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Në nivel botëror, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio bashkë me një delegacion të nivelit të lartë.

Të Ngjashme