Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke uruar 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ka thënë se po rriten vitet e shtetit të Kosovës, dhe po ashtu po rritet edhe fuqia e shtetit.
Kurti tha se liria që sot e 18 vjet gëzon Kosova është si rezultat i shumë brezave të veprimtarëve që sakrifikuan gjithçka.
“Kosova po rritet, po rritet numri i viteve të pavarësisë, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve, po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta, kanë kontribuar e janë sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran”.
“Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia, 18-vjetori, dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, tha Kurti.
