Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti ngushëllon për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit: Një gazetar patriot dhe intelektual i rrallë

 
   

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur Artur Zheji, i cili u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Kurti e ka kujtuar Zhejin si një personalitet të shquar të medias së shkruar dhe asaj televizive, që shquhej për seriozitetin intelektual dhe përkushtimin ndaj çështjeve të rëndësishme kombëtare, përtej raportimeve të përditshme.

“Bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, kanë qenë gjithmonë të veçanta. Të rrallë janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen dhe thellohen me seriozitet në temat që trajtojnë. Artur Zheji ishte njëri prej tyre – fjala e tij nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri në detyrë ka përmendur edhe rrënjët familjare të Zhejit, duke theksuar ndikimin e prindërve të tij, Petro Zheji, një intelektual dhe përkthyes i njohur nga Gjirokastra dhe aktorja e mirënjohur nga Gjakova, Besa Imami, në formimin e tij intelektual dhe qytetar.

“Artur Zheji nuk ishte thjesht një reporter lufte, por një gazetar aktivist, patriot i emancipuar dhe dokumentues i angazhuar. Ai ndihmoi që çështja jonë të ndërkombëtarizohej dhe që kërkesa jonë për liri të jehonte më gjerë,” ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Në fund, ai ka shprehur ngushëllimet për familjen Zheji, të afërmit, kolegët dhe gjithë publikun që e ka ndjekur dhe vlerësuar punën e tij ndër vite.