Pas një periudhe njëvjeçare të tensionuar politik, të shoqëruar me ngërçe, bllokada dhe përplasje të pafundme institucionale, qytetarët e Kosovës dhanë një mesazh të qartë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Si rezultat, më 11 shkurt 2026 u krijuan institucionet e reja të shtetit, duke përfshirë konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare dhe formimin e Qeverisë Kurti 3, e udhëhequr nga Albin Kurti.
Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk ishin thjesht votime, por një akt historik dhe shembull për zgjidhjen e problemeve në të ardhmen.
Sipas tij, vullneti i qytetarëve e ndaloi inskenimet opozitare dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, duke përfshirë zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë Kurti 3 të udhëhequr nga Albin Kurti
Ai ka kritikuar partitë opozitare, duke thënë se që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ato kanë penguar konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve, duke rrezikuar funksionimin e shtetit dhe ndihmat ndërkombëtare, dhe duke kthyer procesin politik në pikën zero.

Analisti politik, Gani Qarri
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit, siç u dëshmua, nuk ishin vetëm votime të thjeshta por edhe zgjidhje e problemit dhe akt që do të mbetet shembull për zgjidhjen e problemeve në rrethana të tilla edhe në të ardhmen, ndërsa siç shprehet eksperti i mirënjohur austriak z. Gunther Fehlinger Albin Kurtit, kryeministrit me mandatin e 3-të qeverisës dhe numrin më të madh të mandateve në periudhën e pasluftës së Kosovës iu dha mundësia historike, që fitoren zgjedhore ta shndërroi në fakt të shtetndërtimit të suksesshëm dhe akt të përparimit strategjik, që do të ishte fat i madh dhe arritje e jashtëzakonshme edhe për Kosovën
Ndryshe partitë opozitare do të mbahen mend, që nga përfundimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit 2025, për orkestrimin e ngërçeve dhe bllokadave mbi 9 mujore kundër konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës, me çka dëshmuan se më shumë kanë qenë të interesuara që përmes inskenimit të blofeve të tyre arkaike, përkundër vullnetit të popullit, ta merrnin pushtetin në tavolinë, se sesa të kontribuonin që vendi të bëhej me institucione të reja, duke rrezikuar edhe funksionalitetin e shtetit me mosvotimin e buxhetit dhe tentuar ta dëmtonin vendin me mbi 1 miliard euro ndihma të BE-së dhe Bankës botërore me mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, veprime me të cilat bënë që Kosova të humbte një vit të plotë dhe i gjithë procesi të kthehej, serish në pikën zero”, ka vlerësuar ai.
Gjithashtu, Qarri ka nënvizuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nuk ishin thjesht votime, por një referendum qytetar kundër bllokadave dhe krizave politike.
“Ndaj, në rrethana të tilla kaq të paqarta e dramatike dhe kërcënimin permanent për përsëritje të situatës së tillë kaotike që serish do të mund të prodhonte kriza të reja politike dhe bllokada të vazhdueshme institucionale, zgjedhjet e 28 dhjetorit, u kthyen në referendum qytetar ku votuesi me vullnetin e tij të lirë, vendosi ti ndërpres lojërat e tilla të paprecedent kundër krijimit të institucioneve të shtetit dhe tu jap fund inskenimeve të turpshme, në mënyrë që mos të mund të pengohej më konstituimi i Kuvendit e formimi i Qeverisë së re dhe të krijoheshin sa më parë institucionet e reja legjitime shtetërore, të dala nga legjislatura e dhjetë, në Republikën e Kosovës.
Me një fjalë, zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nuk ishin vetëm votime të thjeshta, por ishin vet zgjidhje e problemit më madhor që ka pasur vendi kohëve të fundit, madje ndëshkimi meritor që mori opozita e inkriminuar nga qytetarët me votën e tyre të lirë në zgjedhjet demokratike të 28 dhjetorit, duket qartë se u ka dhënë mjaftueshëm edhe mend, partive opozitare, sa ato të heqin dorë në mënyrë automatike nga ngërçi, bllokadat politike, bojkotimi i seancave dhe lojërat tjera të inskenuara gjatë gjithë vitit të kaluar, të cilat për dallim nga viti që shkoj, nga seanca e parë, të gjitha ishin të pranishme në seancën parlamentare, qëndruan po ashtu të gjitha në sallë gjatë zgjedhjes së Albulena Haxhiut kryetare të Kuvendit të Kosovës, si dhe nuk e lëshoi sallën asnjëra nga ato, as gjatë formimit të Qeverisë Kurti 3, të udhëhequr nga z. Albin Kurti”, ka deklaruar Qarri.
Në fund, Qarri ka shtuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit u bënë shembull për të ardhmen, duke hapur rrugën për krijimin e institucioneve shtetërore, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit, dhe avancimin e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies në Kosovë.
“Prandaj pas një periudhe njëvjeçare të përshkuar me insinuata, ngërçe politike e bllokada kundërinstitucionale, përplasje të vazhdueshme dhe një gjuhe të egër e kontaminuese, ashtu siç edhe u dëshmua, zgjedhjet e 28 dhjetorit, u bënë shembull edhe për raste tjera në të ardhmen, të cilat u hapën rrugë krijimit të institucioneve shtetërore, i dhanë elan të ri vijimësisë së rendit e të ligjit, luftimit të krimit e të korrupsionit, jetësimit të Vettingut dhe realizimit të reformave në të gjitha dimensionet e sistemit të drejtësisë së kapur, si dhe shtrirjes në kuptimin e plotë të fjalës, të shtetit të së drejtës cep më cep dhe në të gjithë vendin, i dhanë po ashtu potencial dhe mundësi të reja çuarjes përpara të zhvillimit ekonomik, ngritjes së cilësisë së arsimit dhe përmirësimit të sistemit shëndetësorë, si dhe thellimit të reformave rrënjësore për një shtet të njëmendtë ligjor, shoqëri më të avancuar dhe vend më të sigurt, me ngritje të mirëqenies për të gjithë”, ka përfunduar Qarri.
