
Kryeministri Albin Kurti ka nisur takimet e para me partitë politike për konsultime lidhur me formimin e qeverisë së re.
Ai shkruan në facebook se sot ka ftuar disa prej partive minoritare, si kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi, kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi.
Postimi i plotë:
Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit dëshmuan mbështetjen e madhe të qytetarëve për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe fitoren e subjektit tonë politik.
Si partia fituese, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe fillimit të afatit kushtetues, kemi përgjegjësinë dhe obligimin e nisjes së konsultimeve politike për formimin e qeverisë së re. Gjatë ditës së sotme këto konsultime politike i nisëm me disa prej partive të minoriteteve në Kosovë, përkatësisht me kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi, kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi.
Bashkëpunimin e kemi patur të ngushtë dhe të frytshëm gjatë këtij mandati qeverisës, për çka i falënderova për punën, dedikimin dhe angazhimin e tyre. Partneritetin tonë do ta thellojmë e vijojmë tutje bashkarisht edhe në katër vjeçarin e ardhshëm, për më shumë punë të mira e të mbara, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.