Lajme

Kurti përkujtoi dëshmorët Vesel Avdyli, Ilir Mërturi dhe Naim Gashi

 
   

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri homazhe sot pranë varreve të dëshmorëve, Vesel Avdyli, Ilir Mërturi dhe Naim Gashi, në 27-vjetorin e rënies së tyre.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se, pas homazheve, kryeministri mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore kushtuar dëshmorit, Ilir Mërturi, në Parkun e Qytetit të Klinës.

“Medaljoni i kujtesës që porsa zbuluam sot për Ilir Merturin në këtë park, që po ashtu mban emrin e tij, është shenjë e respektit shtetëror për flijimin e tij dhe e angazhimit tonë për të vërtetën historike. Është kujtesë që na thërret çdo ditë, që ta mbajmë Kosovën ashtu siç e deshën ata: të lirë, të zhvilluar e të përparuar, të denjë për sakrificën e tyre. Kjo pllakë është amanet për brezat që do të vijnë, që ta kuptojnë se liria është fituar mbi dhimbje të mëdha njerëzore dhe humbje të pakompenzueshme njerëzish dhe se ruajtja e mbrojtja e saj kërkon përgjegjësi dhe përkushtim, si nga institucionet e shtetit ashtu edhe nga shoqëria mbarë“, u shpreh Kurtinë fjalën e tij.

Kurti shtoi se në fund të janarit 1999, forcat e armatosura të Serbisë vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden dhe Bishtazhin të Gjakovës. ”21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë duke mbrojtur popullatën civile, ndërkaq nëntë civilë u ekzekutuan pa mëshirë. Lavdi dëshmorëve Mërturi, Gashi dhe Avdyli, dhe të gjithë dëshmorëve të të gjitha epokave të kombit shqiptar. Nderim të gjithë martirëve të lirisë!”, tha tutje Kurti.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme