Lajme

Kurti përkujton masakrën e Likoshanit dhe Qirezit: Drejtësia është obligim shtetëror

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 28-vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, duke nderuar 20 civilët e vrarë dhe katër dëshmorët e rënë në Drenicë.

Ai rikujtoi dëshmitë tronditëse të familjarëve të viktimave, përfshirë vrasjen e katër djemve të familjes Sejdiu dhe të Rukie Nebihut, shtatzënë në muajin e shtatë, duke theksuar se shteti i Kosovës ka obligim të sjellë drejtësi për martirët dhe dëshmorët.

Postimi i plotë:

“Unë dola para policisë dhe shtriva duart përpara djemve të mi. Na nxorën të gjithëve në kopsht. Na thanë shtrihuni në tokë. E goditën Bekimin dhe unë bërtita “Mos e godit, a ke djalë ti!”. Më goditën me fundin e armës në kokë. Ata morën të gjithë djemtë e mi…”, kishte dëshmuar nëna Abide Sejdiu, për Human Rights Watch.

Forcat e armatosura serbe, në Qirez i vranë katër djemtë e familjes: Beqir, Nazmi, Bedri dhe Bekim Sejdiu. Binjakët Nazmiu dhe Bedriu ishin studentë të kimisë dhe fizikës në Universitetin e Prishtinës.

Dëshmia e bacës Sheremet Sejdiu, 83 vjeç, është marrë nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë në janar të këtij viti.

Policia serbe shkoi në Qirez në mesditën e 28 shkurtit 1998, me të paktën shtatë autoblinda, dy tanke, dhe një helikopter.

Së pari sulmuan familjen Nebihu. Në dhomë e vranë Rukie Nebihun, 27 vjeçare, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Rukies ia vranë edhe bashkëshortin Ilirin, 30 vjeçar dhe kunatin Xhemshirin, 33 vjeçar.

Në Qirez, policia kishte shkuar pas sulmit në Likoshan. Aty nga ora 11:30 deri në 12:00, ishte sulmuar fshati me helikopter policor, me shumë automjete të blinduara dhe policë specialë të armatosur. Në shtëpinë e familjes Ahmeti, u rrahën dhe torturuan dhjetë anëtarë meshkuj të familjes dhe një mysafir, nga mosha 16 deri në 50 vjeç. Më pas u ekzekutuan pa mëshirë.

Më 28 shkurt 1998, Likoshani dhe Qirezi u shndërruan në skenë të masakrës së parë të madhe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Atë ditë u bë e qartë se rrugëtimi çlirimtar i popullit tonë është i pashmangshëm dhe i pakthyeshëm.

Sot përkujtojmë 20 civilët shqiptarë të vrarë dhe katër dëshmorët që ranë në Drenicë, në luftimet ndërmjet UÇK-së dhe forcave të armatosura të Serbisë.

Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e këtyre martirëve e dëshmorëve. Institucionet tona të drejtësisë e kanë për detyrë, ne si shtet e shoqëri e kemi obligim, për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, sjelljen e drejtësisë.

Sot, para kujtimit të fëmijës së palindur, e para varreve të martirëve, ne zotohemi se nuk do të harrojmë. Sot e përditë, me kujtimin e tyre në mendje, punojmë që Republika për të cilën ata u flijuan të jetë shtet i së drejtës dhe i barazisë.

Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të Likoshanit dhe Qirezit!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!

Të Ngjashme