Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz në ditën e dytë të shënimit të Epopeja e UÇK-së.
Kurti ka bërë të ditur se në Prekaz ka qëndruar së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë, për të nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri.
“Në Prekaz, në ditën e dytë të Epopesë UÇK-së, aty ku shkojmë për t’ia kujtuar e përkujtuar vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin tonë të lirë e të pavarur. Kur flasim për sakrificën e Adem dhe Hamës Jasharit, të Jasharëve, flasim po ashtu edhe për rrugën e gjatë të rezistencës dhe organizimit që çoi drejt kryengritjes gjithëpopullore dhe krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Ai tutje tha se sot Kosova ka ushtrinë e saj, e cila përmbush një amanet dhe ideal të atyre që luftuan për liri që prej orëve të para.
“Lavdi Adem Jashari dhe familjes Jashari për sakrificën e tyre sublime që qëndron në zemër të historisë së popullit tonë dhe të shtetndërtimit tonë”, ka shtuar Kurti.
