Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për familjen Ramabaja, miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit, shkrimtarit Rushit Ramabaja.
“I prekur thellësisht nga lajmi për vdekjen e Rushit Ramabajës, poetit, gazetarit dhe publicistit të shquar që sot u nda nga jeta, në moshën 77 vjeçare. Rushit Ramabaja kishte lindur më 20 nëntor të vitit 1948, në fshatin Marec të Prishtinës. Nga fillimvitet ’70, ai ndërtoi një karrierë prej gazetari në gazetën e përditshme “Rilindja”, për të cilën punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës, nga viti 1972 deri më 2001. Në periudhën pas çlirimit të Kosovës, Rushit Ramabaja e vazhdoi karrierën e tij si gazetar në radiogazetari, duke punuar në Radio Kosova. Në vitin 2018, ai ishte laureuar me Çmimin “Azem Shkreli” për vepër jetësore, nga Ministria e e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.
Sipas tij, vepra e tij letrare dhe publicistike përbëhet nga mbi 20 libra mes të cilëve romane, vëllime poetike dhe drama.
Ndër to janë edhe këto vepra: “Mareci i Shpresës së Mirë dhe rrëfime të trishta për golgotën e kolonave të Gallapit në Grashticë, Makoc e Llukar”; “Kangjella e Damastionit”; “Një gomar në Parlament”; “Rrëmbimi i vajzës së këngës”; “Amazanat në prillin e pushtimeve”; “Shtëpia ku nuk vdiset (Rekuiem për Xheladin Hanën)”: romani “Gruaja e Jezusit”; vëllimi poetik në shqip dhe greqisht “Euridika në mollën e ndaluar” etj. Ndër mbi 20 veprat e tij, do të jetojë edhe “Pema e misterit” për të cilën kishte shkruar: “Jusuf Gërvallës dhe të gjithë shokëve të mi të ndjerë”. Disa e llogaritën këtë kryeveprën e tij e disa vetë jetën e tij.
“Me veprën e tij letrare dhe me karrierën e tij si gazetar, Rushit Ramabaja do të mbetet një emër i përveçëm mes shkrimtarëve dhe gazetarëve më autentikë në historinë e kulturës në Kosovë, për letërsinë dhe gazetarinë e shkruar prej tij. Ngushëllime familjes Ramabaja, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit. Rushit Ramabaja do të kujtohet mes të gjallëve për trashëgiminë e tij të shkruar dhe për shembullin e jetës së tij prej intelektuali të angazhuar”, tha ai.

