Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë më të tensionuara se në vitet e mëparshme. Uashingtoni paralajmëron se kriza mund të përshkallëzojë në një konflikt rajonal, ndërsa Bashkimi Evropian po kërcënon Kosovën me sanksione. Kështu e përshkruan gazeta “Süddeutsche Zeitung” gjendjen aktuale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se “Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet”
“Nuk kemi arritur shumë”, thotë Albin Kurti për dialogun e deritanishëm.
I pyetur nga gazeta se a është i mundur besimi i vërtetë mes tij dhe Beogradit, duke pasur parasysh se si lider studentor ka qenë në burg në Serbi për një kohë, Albin Kurti përgjigjet se “nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”.
Po në këtë intervistë, Kurti ka mohuar akuzëne e Washingtonit dhe Brukselit se ka qenë Qeveria e Kosovës që ka nxitur tensionet në veri të Kosovës kur ka vendosur që të dërgojë kryetarët e katër komunave nën përcjellje policore në zyrat e tyre.
Siç shkruan Suddeutche Zeitung, Kurti gjithashtu ka akuzuar partnerët Perëndimorë për naivitet në trajtimin e Beogradit.
Kreu i Qeverisë së Kosovës gjithashtu për “Suddeutche Zeitung” ka thënë se është “kryeministër parimor”.
Kjo intervistë e Kurtit për “SZ” vjen pas një serie shkrimesh të shtypit ndërkombëtar në të cilën Kurti përshkruhet si kryeministër kokëfortë dhe tekste ku vihen në pikëpyetje miqësitë e Kosovës me aleatët.