
Kryeministri në detyrë Albin Kurti shkroi në Librin e Ngushëllimeve dedikuar regjisorit Dhimitër Anagnostit, në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë.
Në shënimin e tij, ai shkroi se me filmat e Dhimitër Anagnostit jemi rritur – si fëmijë që ishim, si popull që jemi, si kinematografi që u bëmë.
“Regjisori dhe skenaristi Anagnosti ia dhuroi kinemasë botërore karakteret që flasin shqip gjuhën e filmit. I jemi përjetë mirënjohës!”, thuhet në shënim.
Njëri prej emrave më të shquar të kinematografisë shqiptare regjisorit Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta më 1 shtator, në moshën 89-vjeçare, raporton KosovaPress.
Ai do të kujtohet si një nga themeluesit e artit filmik në Shqipëri, autor i dhjetëra filmave të njohur që kanë lënë gjurmë në historinë e kinemasë shqiptare dhe në kujtesën e shumë brezave.
Krijimtaria e tij ka pasur ndikim të thellë në formësimin e identitetit artistik të vendit, duke e bërë atë një nga figurat më të respektuara në jetën kulturore shqiptare.