Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova do të humbë miliona euro nëse nuk miratohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Ai akuzoi partitë ish-opozitare që nuk janë në sallën plenare, derisa theksoi se “në Kosovë s’ka krizë ekonomike pasi s’ka protesta të qytetarëve por vetëm ankesa të opozitarëve”.
Ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit theksoi nevojën edhe të themelimit të katër komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Kurti alarmon: Kaq para mund të humben nëse Kuvendi nuk i miraton sot
“Një kredi me kosto kamate zero për qind do të kishte lakmi secili shtet në çdo kohë. As që duhej të diskutohej a duhet miratuar apo jo. Ja që te ne ka më shumë se 1 vit që e pret ratifikimin. Nëse ka diçka që mund të hyjmë në histori është kjo: një kredi me zero për qind kamatë pret ratifikimin 1 vit, ndërkohë nuk do të duhej të kishte diskutim fare. Një kredi të tillë do ta kishte lakmi secili shtet i botës në çdo kohë. Nëse nuk ratifikohet në këtë seancë dhe vendi shkon në zgjedhje, atëherë këto mjete, pra 90 milionë euro, që ne si qeveri jemi angazhuar shumë, do të humbin. Ka shumë shtete të tjera që e presin me krahë të hapur një financim të tillë”, tha ai.
Kurti tha se miratimi i Planit të Rritjes së BE-së nuk ka qenë i mundur nga legjislatura e kaluar.
Pse nuk është miratuar Plani i Rritjes në legjislaturën e kaluar, tregon Kurti
“Nuk ka qenë i mundur procedimi i tyre nga legjislatura e kaluar e Kuvendit. Formati standard përfundimtar i dakorduar për instrumentin për reforma për Kosovën është dërguar te ne më 15 nëntor në formë elektronike. Ne e kemi kryer nënshkrimin sapo ka ardhur në Kosovë fizikisht dhe pranuar në qeveri më 27 nëntor dhe të njëjtën ditë është miratuar projektligji nga qeveria. Kurse për marrëveshjen për kredi ne kemi miratuar nismën më 13 nëntor 2024, por draftin final të marrëveshjes e kemi pranuar pas shpërndarjes së Kuvendit në janar të vitit 2025. Kjo ka pamundësuar që marrëveshjet të hyjnë në fuqi dhe ne si shtet të mos përfitojmë nga parafinancimi në vlerë prej 7 për qind si dhe shumat e alokuara për reformat e implementuara. Meqenëse afatet janë fikse dhe koha po kalon, iu ftoj që të votojmë për miratimin e këtyre projektligjeve që të përfitojmë nga ky instrument. Koha nuk është burim i ripërtëritshëm, kalon në të kaluarën në pakthim. Çdo vonesë e komplikon si përfitimin ashtu edhe zbatimin e fondeve”, tha ai.
Sipas Kurtit, në Kosovë s’ka krizë ekonomike, prandaj s’ka protesta të qytetarëve por vetëm ankesa të opozitarëve
Kurti: Në Kosovë s’ka krizë ekonomike, prandaj s’ka protesta të qytetarëve por vetëm ankesa të opozitarëve
“Të nderuar deputetë, në Kosovë nuk ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike në tremujorin e dytë sivjet ka qenë 4.5 për qind të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha kryeministër e tash edhe sa jam në detyrë, asnjëherë rritja nuk ka qenë nën 4 për qind. Rritja ekonomike është 6 për qind. Prandaj s’ka protesta të qytetarëve, por vetëm ankesa të opozitarëve. Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Po rrezikojmë krizë sociale nga kriza buxhetore e financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave. Le të mos keqpërdoren procedurat. Le të jemi në nivel të përgjegjësisë si përfaqësues të popullit, por edhe si zyrtarë të shtetit, si dikush që personifikon dhe ndërton imazhin e shtetit të pavarur si republikë demokratike. Qëndrimet e subjekteve që nuk janë të pranishme, për besë, nuk kanë alibi. Nëse ne sipas tyre qenkemi vonuar, pse nuk janë këtu që të na lënë neve fajin dhe popullit buxhetin”, shtoi ai.
Duke folur për pagat e RTK-së, Kurti tha se qeveria e ka të pamundur të ofrojë sërish një overdraft për RTK-në, teksa theksoi nevojën që Kuvendi të miratojë raportin e RTK-së.
Kurti: Qeveria e ka të pamundur të ofrojë overdraft për RTK-në
“Qeveria e ka të pamundur të ofrojë over-draft mbi over-draftin. Kur vetë themeluesi i RTK-së që është Kuvendi refuzon të alokojë buxhetin”, tha ai.
Kujtojmë që sot do të mbahet edhe seanca për votimin e mandatarit për kryeministër, Glauk Konjufca.

