Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti u paraqit sot në Gjykatën Themelore, reagojnë Çitaku dhe Bajrami

 
   

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës si dëshmitar në rastin e kanosjes ndaj tij nga Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani.

Lidhur me paraqitjen e Kurtit në Gjykatë kanë reaguar nga Partia Demokratike  e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka shkruar në Facebook se Kurti paraqitet për të dëshmuar kundër Faton Klinakut, mirëpo nuk shkon në Prokurori për t’u përgjigjur për aferën milionëshe me rezervat shtetërore.

“Pra, A.K. shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut, “krimi” i të cilit ishte një status në Facebook. Por, kur bëhet fjalë për aferat milionëshe të vartësve të tij, refuzon t’i përgjigjet prokurorisë. Kush ka sy me pa dhe vesh me dëgju, e kupton se situata është më se e qartë”, ka shkruar Çitaku.

Në anën tjetër shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami  ka shkruar se kur Gjykata Kushtetuese, gjykatat e rregullta ose Prokuroria vendosin në favor të Kurtit dhe Vetëvendosjes, ato menjëherë lavdërohen si mbrojtëse të ligjshmërisë dhe rendit në Republikë, mirëpo të njëjtat kur nxjerrin  nxjerrin vendime që cenojnë interesat e Kurtit dhe VV-së, menjëherë shpallen të korruptuara, të politizuara dhe të manipuluara, madje edhe si vegla të Serbisë.

“Prokuroria konsiderohet e pavarur dhe e drejtë vetëm kur merret me rastin “Pronto”, ndërsa kur trajton aferën “Zdravo” të dyshes Kusari-Radojiçiq, diskreditimi është i menjëhershëm. Sot, deputeti Kurti u shfaq në gjykatë si viktimë, në një rast të kanosjes. Veç paramendoni makinerinë e Kurtit dhe VV-së dhe sa kërcënime e kanosje u kanë bërë të tjerëve! Deputeti Kurti po tregon qartë se ligji është i drejtë vetëm kur i shërben interesave të tij personale”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka shtuar se Kurti që mban jashtëligjshëm pozitën e Kryeministrit në detyrë, e sheh drejtësinë si tavolinë suedeze: merr çka i duhet dhe refuzon çka nuk i pëlqen.

“I njëjti person refuzon, përçmon dhe injoron thirrjet e Prokurorisë për të dhënë dëshmi si dëshmitar në Prokurorinë Speciale për dallaveret me rezervat shtetërore.  Sot kemi probleme të mëdha socio-ekonomike, por dëmi më i madh vjen nga denigrimi i institucioneve të drejtësisë. Ata që i dëmtojnë këto institucione duhet të ndëshkohen me votë”, u shpreh Bajrami.