Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Francë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti pritet të zhvillojë një takim dhe një drekë pune me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, njoftoi Zyra e Kryeministrisë, përcjell “Bota sot”.
Ky takim do të jetë një mundësi për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Kosovë dhe rajon, si dhe për të shqyrtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, investimet dhe sigurinë.
Vizita e Kryeministrit Kurti në Francë është pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm për të promovuar imazhin dhe interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe për të thelluar dialogun politik dhe ekonomik me partnerët evropianë.
