Lajme

Kurti uron komunitetin ashkali për Ditën Kombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar komunitetin ashkali me rastin e Ditës Kombëtare, duke theksuar rëndësinë e barazisë, përfshirjes dhe mbështetjes për të gjitha komunitetet joshumicë në vend.

“Shteti nuk matet nga ajo që premton, por nga ajo që u mundëson qytetarëve të tij. Kjo është mënyra mbi të cilën ne po e ndërtojmë e zhvillojmë Kosovën një vend ku secili ka mundësi reale për dinjitet dhe përparim. Komuniteti ashkali është pjesë e pandashme e këtij vizioni. Historia, kultura dhe kontributi i tij janë pjesë e identitetit të Kosovës si një shoqëri multietnike, demokratike drejt integrimeve evropiane”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se Qeveria ka dhënë dëshmi konkrete për mbështetjen e komuniteteve joshumicë dhe përmendi hapat për fuqizimin ekonomik, programin Superpuna, përkrahjen për nënat lehona, bursat dhe mbështetjen arsimore për fëmijët dhe të rinjtë ashkali.

“U bëj thirrje prindërve që t’i mbajnë fëmijët në shkollë. U bëj thirrje të rinjve që të aplikojnë në programet e punësimit dhe trajnimit. U bëj thirrje grave që të shfrytëzojnë programet e fuqizimit ekonomik. Qeveria jonë do të krijojë shanse të reja e të vazhdueshme, por ato duhet që t’i përdorim së bashku. Në njërën anë qeveria ofron mundësi, në anën tjetër përdorni sa më shumë ato, sa më mirë ato, që të gjithë ju, pra secila e secili prej jush.” tha Kurti.

Ai përmbylli duke theksuar se komuniteti ashkali mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e Qeverisë dhe institucioneve të vendit për të drejtat, kërkesat dhe nevojat e tyre.

Të Ngjashme