Kryeministri Albin Kurti ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas lajmit për njohjen e Kosovës nga Bahamas.
Kurti ka thënë se viti 2025 është viti i njohjeve, pasi Bahamas bëhet shteti i katërt që këtë vit ka njohur Kosovën.
Kryeministri Kurti ka uruar qytetarët dhe ka thënë se duhet një mirënjohje e veҫantë për Presidenten Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë.
Postimi i plotë:
Viti 2024 ishte viti i pasaportës sonë. Viti 2025 është viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran.
Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar.
Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas.

