Në përvjetorin e 42-të të rënies së dy veprimtarëve të shquar politikë dhe kombëtarë, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi familjet Malaj dhe Berisha në Gjilan.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Rexhep Malaj ishte anëtar udhëheqës i organizatës së fshehtë Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), kurse Nuhi Berisha ishte udhëheqës i Shtabit Operativ të LRShJ-së për Universitetin e Prishtinës.
“Mbrëmjen e 11 janarit 1984, policia jugosllave ndërmori një aksion për kapjen e Rexhepit dhe Nuhiut, duke i rrethuar në një shtëpi ku ata ishin strehuar, në lagjen Vranjec (tash Kodra e Trimave) në Prishtinë. Rexhepi dhe Nuhiu rezistuan me armë, dhe pas mesnate u vranë të dy. Rënia e tyre si angazhim dhe luftë për liri deri në flijim, u përjetua si shembull ideal nga shokët aktivistë dhe nga populli shqiptar, në Kosovën e pushtuar nga Serbia nën Jugosllavi. Lavdi Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha kishin vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe guximin e duhur për të vepruar kundër regjimit të atëhershëm. Ata vlerësohen si dy nga figurat qendrore të rezistencës dhe përpjekjeve të popullit shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi, dhe janë çmuar për trimërinë, sakrificën e lartë dhe aftësitë organizative.

