Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti viziton Institutin e Krimeve të Luftës: Nuk do të lejojmë që krimet të kalojnë në heshtje

 
   

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), ku u prezantua raporti vjetor i punës së këtij institucioni.

Kurti tha se ky institut, i themeluar në nëntor të vitit 2023, tashmë ka 39 të punësuar dhe gjashtë zyre rajonale, duke vazhduar misionin e tij të qartë dhe fisnik – dokumentimin e së vërtetës historike mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, IKKL ka mbledhur mbi 400 metra linearë material fizik dhe më shumë se 20 terabyte të dhëna digjitale, të siguruara nga 650 burime të ndryshme, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme për ruajtjen e kujtesës kolektive të popullit të Kosovës.

“Instituti po e forcon rolin e tij si mekanizëm qendror i shtetit për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Këtu po kryhet punë jetike për shtetësinë e Kosovës, për dokumentimin e së kaluarës, por edhe për ardhmërinë tonë”, tha Kurti.

Ai theksoi se IKKL është bërë një nyje e rëndësishme institucionale ku kërkohet informacion nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit, duke ndihmuar në rritjen e hetimeve dhe ndjekjen penale të kriminelëve serbë përgjegjës për vrasje, përdhunime, tortura dhe masakra.

“Këtu gjendet dokumentimi i spastrimit etnik, i shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut dhe i pasojave të rënda që populli ynë ka përjetuar – në jetë njerëzish, ekonomi dhe trashëgimi kulturore”, shtoi ai.

Kryeministri garantoi mbështetje të vazhdueshme nga Qeveria për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, “për të mos lejuar që krimet të kalojnë në heshtje dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat e Kosovës”.

Në fund, Kurti falënderoi drejtorin Atdhe Hetemi dhe stafin e IKKL-së për përkushtimin dhe punën e tyre ndaj së vërtetës historike.