Lajme

Kusari-Lila nënshkruan inicimin e procedurës të ligjit për çmimet tavan

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës, ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan).

Përmes një postimi në Facebook, ministrja tha se ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Kusari-Lilës, ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur qytetarët përballen me:

– rritje të papritura të çmimeve;

– mungesë të produkteve themelore;

– çrregullime në furnizim.

“Qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize. Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik. Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide. Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”, tha ajo..

Të Ngjashme