Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kushtetuesja pezulloi Kuvendin me “kërkesë” të Listës Serbe – Aliçkaj zbërthen vendimin që ndezi debatet

 
   

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Gjykata e vendosi këtë masë në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Pas këtij vendimi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën gjykatës më të lartë të vendit komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit,

Këshilltari i Osmanit për media, Bekim Kupina, nuk dha hollësi lidhur me përmbajtjen e komenteve që presidentja do t’ia dërgojë nesër Gjykatës Kushtetuese.

E në lidhje me gjithë këtë situatë të krijuara, për “Bota sot” foli veprimtari shqiptaro-amerikan, Agim Aliçkaj.

Si fillim, ai vlerësoi se masa për bllokim të përkohshëm të Kuvendit është vendim i gabuar nga Kushtetuesja.

Kjo pasi, për faktin se Lista Serbe nuk e njeh Kosovën dhe kjo kërkesë është ilegale.

“Masa e përkohshme për bllokimin e punës së kuvendit deri me 30 shtator e lëshuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës e Kosovës, me kërkesë të organizatës armiqësore “Lista srpska” është e gabuar dhe kundërkushtetuese. Ajo nuk e bën publike kërkesën e organizatës armiqësore LS ku do të shihej se ankesa kundër Kuvendit joekzistues ju ka dërguar Gjykatës joekzistuese.

Meqë LS nuk e njeh asnjëren dhe as Republikën e Kosovës, kjo kërkesë është ilegale dhe është dashur t’i kthehet menjëherë kërkuesit për përmirsim të emrave. Bllokimi i shtetit për një organizatë me lidhje terroriste e inkurajon atë që të vazhdojë me përpjekejet për shkatërrimin e shtetit”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Aliçkaj vlerësoi se ky vendim e ka vendosur presidenten Osmani në një pozicion të vështirë, pasi nuk mund të vazhdojnë procesin për mandatarin për krijim të qeverisë së re.

“Gjithashtu, askund në Kushtetutë nuk është e shkruar se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa emrimin e të gjithë nënkryetarëve. Kryetari i Kuvendit z. Dimal Basha me të drejtë e ka shpallë Kuvendin të konstituuar.

Ky vendim i GJK e ka qitë në pozitë të vështirë edhe Presidenten Vjosa Osmani e cila nuk e ka të lehtë të del kundër kësaj mase dhe të vazhdojë me caktimin e mandatarit për qeverinë e re të Kosovës. Edhe pse vendimi i GJK ishte i gabuar ai duhet të respektohet nga të gjithë”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, Aliçkaj krahas pozicionimit të Osmanit, tha se si çdo politikan, edhe presidentja i ka kalkulimet e saj politike, por që deri tani ato nuk kanë kaluar nivelin që do ta cenonte interesat e shtetit.

“Është e kuptueshme që, si çdo figurë politike, edhe Presidentja i ka kalkulimet e veta. Ato kalkulime bëhen të dëmshme në momentin kur i cënojnë interesat shtetërore. Mendoj se Presidentja nuk ka kaluar në këtë nivel.

Duhet theksuar se zgjedhja e presidentit nga partitë politike me 2/3-tat e deputetëve të Kuvendit e bën të pamundur që kandidati për President të jetë plotësisht unifikues dhe i paanshëm. Prandaj, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës që Presidenti/ja të zgjidhet me shumicë votash direkte nga populli”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.