Lajme

Kushtetuesja vendos masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri në fund të këtij muaji ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha se vendimi është ex officio dhe se ai ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, pasi e shpërndau Kuvendin përmes dekretit, i cili u kundërshtua në Kushtetuese nga partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.

Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë më 6 mars se dekreti i Osmanit ishte “jokushtetues”.

Sipas tij, Osmani nuk kishte të drejtë ta shpërndante Kuvendin dhe se deputetët, nga 5 marsi, kanë 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga partia në pushtet kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit. / REL

Të Ngjashme