Me 11 vota për, anëtarët e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë certifikuan rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Rezultatet zgjedhore u certifikuan pasi përfunduan të gjitha afatet për ankesa nga partitë dhe kandidatët lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja ditë më parë.
Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, vjen hapi i radhës, ai i mbajtjes së seancës konstituive.
Kjo seancë duhet të mbahet brenda 30 ditësh dhe duhet të thirret nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, nëse ajo nuk e thërret, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30-të.
Rregullorja përcakton se duhet të ketë përgatitje për seancën konstituive dhe kjo përgjegjësi bie mbi kryetarin e legjislaturës paraprake, në këtë rast është në përgjegjësinë e Dimal Bashës.
E pas certifikimit të zgjedhjeve, presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk vonoi dhe njoftoi se ka thirrur për të mërkurën, më 11 shkurt, seancën për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, është thënë në njoftimin e Presidencës.
Mirëpo, se çka mund të pritet tash dhe si do veprojnë partitë politike për formimin e institucioneve?
Zogaj: zgjedhja e presidentit/es pritet të shndërrohet në një vatër të re acarimesh politike

Skënder Zogaj
E për këtë temë për “Bota sot” foli publicisti Skënder Zogaj, i cili fillimisht shpërtheu me kritika ndaj partive politike dhe manipulimet që kanë bërë me vota gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Tashmë që ka përfunduar odisejada e zgjedhjeve të turpshme, të dominuara nga falsifikatorë dhe manipulatorë të paturpshëm të partive politike, u dëshmua qartë se, në vend të një gare të ndershme dhe demokratike, fokusi i tyre ishte vjedhja e votës së qytetarëve. Vetëm ky fakt mjafton për të dëshmuar nivelin e mjerë të partive politike në Kosovë, të cilat për institucionin më të lartë ligjvënës të vendit konkurrojnë me individë që shkelin ligjin dhe moralin publik”.
Madje, sipas tij, zgjedhjet e fundit nuk ishin të ndershme dhe kjo mund të ndikojë në funksionalitetin e Kuvendit të Kosovës.
“Edhe pse hajnat dhe manipulatorët u zbuluan, njolla mbetet e pashlyeshme. E vërteta është se zgjedhjet e fundit parlamentare nuk ishin aspak të ndershme, dhe pandershmëria rrezikon të vazhdojë të funksionojë edhe brenda Parlamentit të Kosovës”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, publicisti nuk pret që të ketë bllokadë politike nga partitë opozitare, pasi qeveria do formohet edhe pa ato, mirëpo paralajmëron se zgjedhja e presidentit/es mund të shndërrohet në një lojë politike.
“Në këto rrethana, pritshmëritë janë jashtëzakonisht të vogla, sepse nga kjo përbërje parlamentare nuk mund të pritet punë e denjë dhe në interes të qytetarëve. Partitë politike opozitare tashmë nuk kanë hapësirë për bllokada në formimin e qeverisë, por kundërthëniet dhe tensionet do të vazhdojnë. Veçanërisht, zgjedhja e presidentit/es pritet të shndërrohet në një vatër të re acarimesh politike, duke u përdorur si mjet loje dhe ambicieje përtej çdo merite dhe përgjegjësie institucionale”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Nimani: Në këtë fazë, krijimi i shpejtë dhe i rregullt i institucioneve është thelbësor për stabilitetin politik
Ndërsa, analisti tjetër, Artan Nimani potencoi se tani nuk ka pengesa ligjore për formimin e institucioneve të reja.

Artan Nimani
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se, tani duhet të mblidhet Kuvendi dhe në parim nuk do ketë bllokada pasi LVV ka fituar shumicën e votave.
“Pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, procesi zgjedhor konsiderohet i përfunduar. Kjo do të thotë se tani nuk ka më pengesa ligjore për kalimin në fazën e radhës, që është formimi i institucioneve të reja të vendit.
Hapi i parë që pritet është mbledhja e Kuvendit, betimi i deputetëve dhe më pas nisja e procedurave për formimin e qeverisë së re. Duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 përqind të votave, ekziston një shumicë e qartë parlamentare, gjë që në parim e bën më të lehtë dhe më të shpejtë krijimin e qeverisë, pa bllokada politike”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Nimani pret që partitë politike të veprojnë me përgjegjësi për formim të institucioneve dhe të mos bëjnë lojëra politike.
“Megjithatë, përtej numrave, rëndësi ka sjellja politike e të gjitha palëve. Qytetarët presin që partitë të veprojnë me përgjegjësi, të respektojnë Kushtetutën dhe të fokusohen te ndërtimi i institucioneve funksionale, e jo te kalkulimet apo lojërat politike.
Në këtë fazë, krijimi i shpejtë dhe i rregullt i institucioneve është thelbësor për stabilitetin politik, funksionimin e shtetit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në demokraci”, përmbylli Artan Nimani për “Bota sot”.
