Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se kryetari i partisë ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pasi është përmbushur kriteri statutar i mbështetjes me nënshkrimet e së paku një të tretës së delegatëve të Kuvendit.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë në përputhje me Statutin e partisë dhe procedurat e brendshme organizative.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm do të mbahet të enjten, më 30 korrik, ndërsa pritet të trajtojë zhvillimet e fundit brenda LDK-së dhe çështjet që lidhen me organizimin dhe drejtimin e partisë.
Anëtarja e Lidhjes Demokratike, Shqipe Pantina ka deklaruar se Kuvendi i partisë është thirrur me qëllim të votëbesimit për kryetarin aktual.
Në një prononcim për “Bota sot”, ajo tha se pret që pas këtij procesi të hapet rruga për zgjedhje të reja brenda LDK-së, ku secili kandidat do të ketë mundësinë të paraqesë vizionin dhe strategjinë për rikthimin e partisë në fitore.
“Kuvendi i LDK-së është thirrur me një qëllim të qartë: votëbesimin për Kryetarin.
Ajo që pritet është që të hapet rruga për zgjedhje të reja brenda LDK-së, ku secili i interesuar do të ketë mundësinë të kandidojë, të paraqesë vizionin e tij për të ardhmen e LDK-së dhe strategjinë se si partia mund të rikthehet fituese”, ka thënë ajo.
