Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, duke u mundësuar grave me probleme të diagnostikuara shëndetësore që përjetojnë menstruacione të dhimbshme të marrin dy ditë pushim të paguar çdo muaj.
Sipas arsyetimit të ligjit, ndryshimet synojnë të vendosin një ekuilibër ndërmjet kujdesit për shëndetin e grave dhe detyrimeve të tyre profesionale, si dhe të kontribuojnë në uljen e stigmës dhe paragjykimeve në vendin e punës.
E drejta vlen për gratë që vuajnë nga dismenorrea sekondare, një gjendje e shkaktuar nga sëmundje ose ndryshime organike, e cila shoqërohet me ngërçe, të përziera, lodhje dhe simptoma të tjera. Përfitueset përfshijnë gratë me diagnoza si endometrioza, miomat, polipet, inflamacioni i vezoreve dhe sindroma e vezoreve policistike.
Nismën për ndryshimet ligjore e paraqiti deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq në muajin mars të këtij viti. Propozimi mori më herët mbështetje unanime nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Politikë Sociale, si dhe nga Komisioni Legjislativ.
