Lajme

​Kuvendi i Odës së Inxhinierëve të Kosovës miratoi dokumente të rëndësishme

Kuvendi i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) ka vazhduar punimet, ku me pjesëmarrje të gjerë dhe diskutime konstruktive ndërmjet anëtarëve, janë miratuar disa dokumente dhe vendime të rëndësishme për funksionimin e Odës.

Në Kuvend, anëtarët u njoftuan shkurtimisht për procesin e themelimit të OIRK-së, kuvendin e parë themelues, organet e zgjedhura dhe aktet bazë të miratuara në fazën fillestare të funksionimit.

Në këtë mbledhje, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi me votim Raportin vjetor të punës së Odës për vitin 2025, duke e cilësuar atë si pasqyrë të angazhimeve dhe rezultateve gjatë vitit të parë të veprimtarisë. Po ashtu, në kuadër të periudhës së përkohshme të funksionimit, anëtarët u njoftuan me raportimin financiar vjetor për vitin 2025 dhe planifikimin financiar për vitin 2026, me sqarime lidhur me ekzekutimin e mjeteve financiare.

Kuvendi dëgjoi edhe raportimin e Komisionit Mbikëqyrës, i cili paraqiti vlerësimin e tij mbi mbikëqyrjen e punës dhe veprimtarisë së organeve të Odës. Me votim u miratuan edhe dy rregullore të rëndësishme, të cilat synojnë të krijojnë bazë më të qartë për funksionimin institucional dhe administrativ të OIRK-së: Rregullorja e Punës së Kuvendit të OIRK-së dhe Rregullorja për Organizimin e Brendshëm të Administratës së OIRK-së.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me votim Rezolutën e Kuvendit lidhur me dokumentet referuese për kategorizimin e ndërtimit, çmimin mesatar të ndërtimit dhe çmimet minimale referuese për shërbime inxhinierike në fushën e ndërtimit.

Nga OIRK u shprehën falënderime për anëtarët e Kuvendit për pjesëmarrjen dhe kontributin profesional, për Komisionin Mbikëqyrës për angazhimin dhe raportimin e paraqitur, si dhe për mysafirët dhe të pranishmit për përkrahjen ndaj punës së Odës. Këtu, u bë e ditur se vendimet e miratuara do të protokolohen dhe publikohen në ditët në vijim.

Të Ngjashme