Lajme

Kuvendi i Shqipërisë miraton deklaratën për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së: Lufta ishte legjitime

Me 92 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë për pafajësinë e ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Deklarata e Kuvendit thekson se, duke pasur parasysh të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, ajo ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirinë e popullit të Kosovës. Kuvendi shpreh shqetësimin për kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke e konsideruar atë një tentativë për të shtrembëruar historinë dhe për të barazuar luftën legjitime të një populli për liri me krimet e regjimit serb, që realizoi spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile të Kosovës.

Në këtë kontekst, Kuvendi i Shqipërisë shpreh mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së, që vazhdojnë të mbeten përfaqësues të aspiratave dhe të drejtave të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Sipas Kuvendit, lufta e tyre ishte e drejtë, duke u mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. Kuvendi u bën thirrje Dhomave të Specializuara në Hagë dhe institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë që të shpallin pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke siguruar një proces të drejtë dhe të paanshëm që ruan dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Në përmbyllje, Kuvendi kujton bashkësinë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në një kohë kur regjimi i Millosheviçit ishte angazhuar në spastrim etnik dhe akte gjenocidale ndaj popullsisë civile të Kosovës. Ai thekson gjithashtu se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit serb. Kuvendi shpreh solidaritet të plotë me popullin e Kosovës dhe familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke siguruar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar për të mbrojtur të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës për liri.

Po ashtu, Kuvendi angazhohet të ndërmarrë çdo hap diplomatik dhe politik në forumet ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta mbi luftën e UÇK-së të ruhet dhe drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë./teve1.info/

Të Ngjashme