
Në nderim të jetës dhe veprës se anëtarit të deritashëm të Kuvendit Komunal të Komunës të Podujevës, Gazmend Islami, është mbajtur mbledhje komemorative. Islami u vlerësua si njeri i përgjegjshëm dhe i përkushtuar, e kontributdhënës në këtë kuvend.
Me një minutë heshtje nisi mbledhja përkujtimore, kushtuar patriotit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Gazmend Islamit, njëherësh i ndjeri ishte asamblist në Komunën e Podujevës. Ish- kryparlamentari, Glauk Konjufca, në fjalën e tij, tha se Gazmend Islamin do ta kujtoj si mik, atdhetar dhe bashkëpunëtor të mirë.
“Gazmendi ishte njeri i sinqertë dhe i përkushtuar, i cili çdoherë vendoste interesin e vendit para interesit personal. Si mik e si bashkëpunëtor, ai la pas shembullin e një njeriu që punoi për të ardhmen dhe për të mirën e përbashkët”, tha Glauk Konjufca, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Për bashkëpunimin e mirë dhe njeri të përgjegjshëm thanë se do ta kujtojnë edhe nga komuna.
“Me përvojën dhe angazhimin e tij, ai gjithmonë punoi për të mirën e qytetarëve, duke qenë i drejtë dhe i palodhshëm në mbrojtjen e interesave të komunës sonë”, tha Hilmi Hoxha, kryesues i Kuvendit Komunal të Komunës së Podujevës.
“Sot, duke e kujtuar Gazin ne e ndjejmë dhimbjen e humbjes së tij, por njëkohësisht jemi krenarë që e patëm në mesin tonë. Puna dhe vepra që la pas vetës do të mbetet udhërrëfyes për ne. Dashuria për vendin, përkushtimi ndaj kombit dhe ndershmëria në shërbim të interesit publik janë virtytet e tij që do të jetojnë gjithmonë mes nesh”, tha Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës.
Në emër të familjes foli vëllai Avni Islami, i cili e falënderoi të gjithë të pranishmit për respektin ndaj gazmend Islamit.
Gazmend Islami vdiq më 15 gusht nga një sëmundje e rëndë. Ai u varros në vendin e tij të lindjes.