Të enjten, më 2 prill, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të rregullt plenare. Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme.
“Në këtë seancë do të trajtohen projektligje për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe çështje të tjera të rëndësishme legjislative”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
Të enjten, më 2 prill, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të rregullt plenare. Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetarja Albulena Haxhiu.
Në këtë seancë do të trajtohen projektligje për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe çështje të tjera të rëndësishme legjislative.
Kështu, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë shtatë projektligje: Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor; Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit nr. 3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2018; Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Energjisë Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës; si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.
Në vazhdim të seancës parashihet formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave; formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë nga radhët e komunitetit shqiptar dhe për dy anëtarë nga komunitetet jo shumicë në Komisionin e Pavarur të Mediave; si dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.
Në rend dite në këtë seancë do të jetë edhe propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare, shqyrtimi i Buxhetit të Komunës së Zubin Potokut për vitin 2026, si dhe formimi i Komisionit ad hoc për hartimin e Projektligjit për Parandalimin e Vetëvrasjes.
Në mbledhjen e sotme Kryesia shqyrtoi edhe çështje
