Lajme

Kuvendi miraton Planin e Rritjes, Kosova do të përfitojë rreth 900 milionë euro

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Planin e Rritjes me 104 vota për, asnjë kundër dhe 6 abstenime, duke i hapur rrugën zhbllokimit të fondeve të mëdha financiare të Bashkimit Evropian.

Projektligji u prezantua para deputetëve nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili theksoi se Kosova do të përfitojë një shumë të konsiderueshme nga ky mekanizëm financiar.

Sipas Muratit, Kosovës i janë alokuar 882.6 milionë euro, që përfaqësojnë rreth 8% të Bruto Produktit Vendor (BPV) — një nga raportet më të larta në rajon.

Nga këto mjete 1/3 do të jetë grant dhe pjesa tjetër do të jetë kredi me kushte të favorshme.

Ai theksoi se në kuadër të Planit të Rritjes janë dy marrëveshje kryesore që do të ratifikohen, ndërsa një marrëveshje shtesë për kredinë do të trajtohet në një pikë tjetër të rendit të ditës.

Kosova ishte vendi i fundit në rajon që e miratoi Planin e Rritjes. Fondeve të dedikuara për vendin iu shty zhbllokimi për shkak të periudhës së gjatë pa funksionalitet institucional pas zgjedhjeve të 2024-s.

Plani i Rritjes 2024–2027 është një paketë prej 6 miliardë eurosh e miratuar nga Bashkimi Evropian në fund të vitit 2023. Ai synon përkrahjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në përafrimin ekonomik me standardet evropiane, duke përfshirë investime në tregun e përbashkët rajonal, digjitalizim, energji, sundim të ligjit dhe reforma strukturore.

Të Ngjashme