Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do t’i ftojë sërish liderët e partive në takime për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Megjithatë, dallimet e thella mes pozitës dhe opozitës po e bëjnë arritjen e një marrëveshjeje gjithnjë e më të vështirë.
Në këtë kontekst, zgjedhja e presidentit rrezikon të kthehet në një tjetër betejë politike pa epilog të qartë, duke shtuar pasigurinë në skenën politike të Kosova.
Përballë kësaj situate, gjithnjë e më shumë po përmendet edhe mundësia e shkuarjes drejt zgjedhjeve të reja, si një skenar i mundshëm për të zhbllokuar krizën institucionale.
Njohësi i çështjeve politike, Dashnim Hebibi, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se ftesat e Albin Kurti për opozitën për zgjedhjen e presidentit kanë pak gjasa të sjellin marrëveshje reale.
Sipas tij, qëndrimet e kundërta mes pozitës dhe opozitës e bëjnë procesin më shumë formal, me rrezik që takimet të përfundojnë pa rezultat konkret, si edhe herët e tjera
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar ftesa për liderët e partive opozitare në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri. Megjithatë, duke u bazuar në zhvillimet aktuale politike dhe në përvojat e mëparshme, nuk pritet që këto takime të prodhojnë një konsensus real.
Opozita vazhdon të mbajë qëndrime të forta dhe shpesh të kundërta me pozitën, ndërsa edhe vetë qeveria është e vetëdijshme për këtë realitet. Kjo e bën procesin më shumë formal sesa substancial, duke rrezikuar që takimet të përfundojnë pa rezultate konkrete, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë”, theksoi ai.

Dashnim Hebibi
Tutje Hebibi thekson se situata politike ndërlikohet edhe nga paqartësia rreth rolit të Vjosa Osmani në të ardhmen.
Sipas tij, mbetet e hapur nëse ajo do të vazhdojë aktive politikisht apo do të tërhiqet gradualisht.
“Situata është komplikuar më tej nga roli dhe e ardhmja politike e presidentes aktuale, Vjosa Osmani. Ende mbetet e paqartë nëse ajo do të vazhdojë të jetë aktive në skenën politike apo do të tërhiqet gradualisht. Në këtë kontekst, përfshirja e saj në struktura partiake, si për shembull në Lidhjen Demokratike e Kosovës, shihet nga disa si një mundësi për stabilizim politik. Po ashtu, një afrim i mundshëm i Donika Gërvallës me këtë subjekt do të mund të krijonte dinamika të reja brenda spektrit politik.
Megjithatë, politika në Kosovë ka treguar vazhdimisht se nuk ndjek logjikë lineare. Shpesh, rezultatet nuk janë produkt i kalkulimeve të thjeshta (“1+1=2”), por i një “kuzhine politike” komplekse dhe të paparashikueshme, ku interesat, kompromiset dhe presionet ndërthuren në mënyra të papritura”, u shpreh ai.
Në përfundim, Hebibi vlerëson se mundësitë për një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës mbeten të ulëta, duke paralajmëruar zvarritje të procesit dhe humbje kohe institucionale.
Madje sipas tij, vendi rrezikon të përballet sërish me zgjedhje të reja, të cilat mund të sjellin zhvillime të paparashikueshme, përfshirë edhe një rol më të madh të diasporës.
“Në këto rrethana, ka pak gjasa që të arrihet një marrëveshje e gjerë ndërmjet pozitës dhe opozitës. Më shumë gjasë, procesi do të zvarritet, duke humbur kohë të çmuar politike dhe institucionale, derisa vendi të përballet sërish me opsionin e zgjedhjeve të reja. Këto zgjedhje mund të sjellin risi të paparashikueshme, përfshirë edhe një përfshirje më të madhe të diasporës.
Mërgata shqiptare luan një rol të rëndësishëm, por shpesh ndjen se zhvillimet politike në vend nuk reflektojnë interesat e saj. Megjithatë, përgjegjësia për situatën aktuale nuk mund t’i atribuohet asaj, pasi vendimmarrja politike mbetet në duart e aktorëve brenda vendit.
Në thelb, problemi qëndron te mungesa e kompromisit dhe te polarizimi i thellë politik. Inatet dhe ndarjet e vazhdueshme e bëjnë të vështirë arritjen e marrëveshjeve të domosdoshme për stabilitet institucional. Në një kohë kur Kosova përballet edhe me sfida serioze ekonomike—me një hendek të theksuar mes të pasurve dhe të varfërve dhe një shtresë të mesme të dobët—zgjatja e krizave politike vetëm sa e përkeqëson situatën.
Përfundimisht, nëse nuk arrihet një kompromis i sinqertë dhe i qëndrueshëm, skenari më i mundshëm mbetet ai i zgjedhjeve të reja. Dhe këtë herë, ato mund të sjellin zhvillime të reja dhe të paparashikueshme për të ardhmen politike të Kosovës” – përfundon ai për gazetën.
