Lajme

Ky është 24-vjeçari që humbi jetën në aksidentin me motoçikleta në Gjilan

Një aksident me pasoja fatale është shënuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Livoq, në rrugën Gjilan–Cernicë, ku një i ri ka humbur jetën si pasojë e përplasjes mes dy motoçikletave.

Bëhet fjalë për Arbnor Mehmetin, rreth 24-vjeçar, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra nga aksidenti.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:40, ku sipas informacioneve fillestare, një motoçikletë e tipit “Yamaha”, e drejtuar nga një i mitur, dyshohet se ka kaluar në shiritin e kundërt dhe është përplasur ballë për ballë me motoçikletën që drejtonte Mehmeti.

Si pasojë e përplasjes, 24-vjeçari ka pësuar lëndime fatale, ndërsa dy persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.

I dyshuari është dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë, ndërsa një i mitur tjetër është trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetimet, ndërsa me urdhër të prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Rasti është në hetim.

 

Të Ngjashme