Vrasja e dyfishtë në Madanaj të Gjakovës, të dielën mbrëma, shënoi tragjedinë e radhës si pasojë e konfliktit pronësor. Dy vëllezërit, Blerim dhe Haxhi Islamaj, u qëlluan me armë zjarri nga Gjergj Gjokaj dhe për pasojë mbetën të vdekur. Dy viktimat kanë pasur probleme me të dyshuarin, por edhe me familjarët e tij.
Media raportoi sonte se hiç më larg se para tre muajsh, të ndjerët vëllezërit Islamaj, kishin përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimin për kërcënimin e Gjonit, familjarit të dorasit Gjergj Gjokaj.
Por edhe vet Gjon Gjokaj, i cili e pranoi dje në një prononcim për Sinjalin se ka pasur probleme me Blerimin dhe Haxhiun, ka përfunduar në Polici muajin e kaluar.
Burimet brenda Prokurorisë thonë Gjon Gjokaj është arrestuar më 10 maj, pasi Policia kishte intervenuar në fshatin Madanaj, për shkak gë një incidenti që ka ndodhur për shkak të pronës.
Gjokaj ishte kapur me dy armë në trup, të cilat janë konfiskuar po atë ditë nga Policia, ndërkaq i njëji ishte shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit kishte urdhëruar caktimin e masës së ndalimit, për shkak të mbajtjes së armëve pa leje.
Çka dihet për rastin ku Gjokaj u kërcënua nga vëllezërit Islamaj?
Burimet e sinjalit kanë bërë me dije se ngjarja kishte ndodhur në fshatin Rrypaj të Gjakovës, më 21 mars të këtij viti, fiks para 3 muaj e ca ditësh.
Dy vëllezërit Islamaj dyshohej se e kishin kanosur seriozisht 45-vjeçarin Gjon Gjokaj, fë cilit ia kanë bllokuar rrugën me ekskavator, duke mos e lënë që të kalojë.
Media pati raportuar për këtë rast që ishte denoncuar në Polici nga Gjoni, i cili i kishte njoftuar organet e rendit se të dyshuarit të cilët janë nga e njëjta familje, e kanë kërcënuar se ose do e marrin ata tokën, ose do e marrin plumbat atë.
Vëllezërit Islamaj e kishin kërcënuar Gjokajn se ajo tokë s’do i duhet askujt, nëse nuk e marrin ata.
Kanosja ndaj Gjon Gjokajt iu kishte kushtuar me arrestim dhe ndalim dy vëllezërve Islamaj, të cilët u vranë mbrëmë në Madanaj.
Ishte vet Gjon Gjokaj ai që e konfirmoi mbrëmë për Sinjalin se ka pasur probleme me dy vëllezërit Islamaj.
Përmes linjës direkte, ai e pohoi se në të kaluarën kishte kontekst pronësor, mirëpo thotë se nuk ka lidhje me vrasjen e tyre.