Lajme

​Largohen nga sheshi tabelat e ekspozitës, flet i mbijetuari i masakrës së Dubravës

Pesë ditë pas, janë hequr nga sheshet e kryeqytetit tabelat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Kjo pasi që janë vërejtur pasaktësi në përmbajtjet e të dhënave të paraqitura në dy anët e sheshit.

Mëngjesin e sotëm, ekipet e kryeqytetit kanë ndërmarrë këtë aksion për largimin e tabelave të ekspozitës.

Pasaktësi kishte edhe në materialin për masakrën në Burgun e Dubravës. I mbijetuari i kësaj masakre, Visar Ballovci tha se kishte përjetuar tmerrin përgjatë dy javëve sa kishte ndodhur terrori nga forcat kriminale serbe.

Ballovci: Kjo ekspozitë nuk përputhet me të dhënat e sakta të masakrës së Dubravës

“I kom përjetuar me shokë e dashamirë, krejt çka i kom pas atje. Edhe kjo ekspozitë që e ka qitën në reklamë, nuk përputhet në atë kuptimin me të dhënat e sakta të masakrës së Dubravës. Ne e kemi përjetuar live këto. Çdo send që kemi pas, kanë qenë paramilitarë që kanë kryer krimin e parë në atë kuptimin, që e kanë bo masakrën e Dubravës mbi 144 janë të vrarë, dhe 200 e diçka janë të plagosur, pa këmbë, pa veshë, pa sy, e pa krejt”, ka thënë ai.

Sipas materialeve në këtë ekspozitë thuhej se ka pasur të burgosur të armatosur, për çka Ballovci thekson se “me pas qenë të armatosur e kishim shpëtuar vetën”.

Ballovci: Me pas qenë të armatosur e kishim shpëtuar vetën

Përkundrazi, kanë qenë paramilitarë të armatosur. Janë edhe incizimet e NATO-s, se më së pari edhe prej NATO-s i kemi bombardimet e para që janë bo 22 janë prej NATO-s që kanë gjuajt, por janë satelitorë, krejt ato edhe kam qenë edhe në Strasburg, kam qenë për para 3 viteve kom qenë, që më kanë thënë që nuk ka, veç duhet shteti me bo… Ne me pas qenë (të armatosur), në atë kuptimin, kishim bo diçka për të shpëtuar vetën. Por asnjë send se kemi pas. Tre herë kam qenë unë vet në pushkatim edhe kam qëndruar nëpër xhenaze të të vrarëve aty. Edhe që kemi pas, kemi pas shumë tortura të mëdhaja që s’ta merr mendja, që gjuajshin qaq që s’mujsha me parashiku çfarë gjuajtje bëjshin. Edhe çfarë masakre bëjshin”, tha ai.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha tha se kanë revokuar pëlqimin për këtë ekspozitë për shkak të përmbajtjes së pasaktë.

Braha: Është revokuar pëlqimi për këtë ekspozitë për shkak të pasaktësive

“Komuna e Prishtinës ka revokuar pëlqimin për ekspozimin e materialeve prej librit të Shkëlzen Gashit, të cilat kanë qenë të parapara prej datës 24 mars deri me datën 7 prill, në përkujtim të masakrave që kanë ndodhë në Kosovë. Ky revokim është bërë për shkak të përmbajtjes së pasaktë e të pavërtetë në disa prej panove që janë shfaqë, në disa prej materialeve të cilat rëndojnë shumë kujtesën historike të kombit tonë, rëndojnë shumë të mbijetuarit e masakrave edhe kanë krijuar një irritim të jashtëzakonshëm të sentimentit publik. Prandaj e kemi revokuar edhe sot është marrë menjëherë aksioni për heqjen e tyre nga sheshi”, ka thënë ai.

Braha tha se nuk kanë qenë të informuar se ekspozita përmban pasaktësi të tilla.

Braha: Nuk kemi bërë kontroll të materialeve

“Jo, ne s’kemi bo kontroll të materialeve. Nuk kemi censurë, nuk jemi Gestapo për me bo diçka të tillë. Materialet kanë qenë të financuara ose të sponsorizuara edhe nga institucionet tona shtetërore, prandaj s’e kemi pa të arsyeshme me hy në detaje të tilla. Edhe nuk e kemi menduar që dikush prej shoqërisë tonë mundet me shkuar në nivele të tilla që me dhënë të pavërteta kaq të ndjeshme”, tha ai.

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e vendosur në sheshet e Prishtinës, mbrëmë ka ngjallur reagime të shumta, madje disa qytetarë kanë dal duke fshehur të dhënat e pasakta për viktimat në Burgun e Dubravës dhe ato në Krushën e madhe.

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka thënë se ekspozimi në sheshin e Prishtinës i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka thënë se “Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”.

Për të gjitha këto reagime, organizatori i kësaj ekspozite, Shkëlzen Gashi tha se “Lista e vetme që kemi deri më tani është lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Natasha Kandiq, të cilës Kryetari i Komunës së Prishtinës ia ka dhënë çelësin e Prishtinës”.

Kjo ekspozitë është hapur më 24 mars dhe ka qenë e planifikuar deri më 7 prill, e cila u organizua nga ADMOVERE dhe INTEGRA.

Në këtë ekspozitë ishin paraqitur 49 masakra.

Të Ngjashme