Lajme

Latifi kritikon Chomskyn për lidhjet me Epstein dhe qëndrimet publike

 
   

Profesori universitar Blerim Latifi ka reaguar lidhur me figurën e filozofit amerikan Noam Chomsky, duke e akuzuar atë për hipokrizi morale dhe intelektuale.

Sipas profesorit Latifi, Chomsky gjatë gjithë jetës së tij ka përdorur autoritetin shkencor dhe filozofik për të sulmuar elitat liberale dhe pushtetin e tyre, veçanërisht atë amerikan, ndërsa më vonë është zbuluar se ka pasur lidhje financiare me Jeffrey Epstein, të cilin Latifi e cilëson si “produkt monstruoz të po këtyre elitave”.

“Gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk ka ndaluar së përdoruri autoritetin e vet shkencor dhe filozofik për të sulmuar elitat liberale dhe pushtetin e tyre, veçanërisht ato amerikane. Por në fund doli se jo vetëm ishte i lidhur me to, por edhe se kishte marrë para nga një monstrum i prodhuar prej këtyre elitave: Jeffrey Epstein. Ky është Noam Chomsky”, shkruan Latifi në Facebook.

Latifi thekson se Chomsky kishte zhvilluar një obsesion me idenë se mediat perëndimore funksionojnë si makineri manipulimi në shërbim të elitave politike dhe ekonomike, obsesion që, sipas tij, e kishte çuar deri te relativizimi i Masakrës së Reçakut, të cilën Chomsky e kishte quajtur incident të manipuluar nga SHBA dhe NATO.

“Atij i ishte kthyer në obsesion ideja se mediat perëndimore funksionojnë si makineri manipulimi në shërbim të këtyre elitave. I shtyrë nga ky obsesion, ai arriti deri aty sa Masakrën e Reçakut ta cilësonte si një incident dhe ngjarje e manipuluar nga SHBA dhe NATO”, shkruan Latifi.

Ai kujton edhe thënien e Volterit se “kur është fjala për para, të gjithë njerëzit kanë një fe”, duke shtuar se rasti i Chomskyt, sipas tij, dëshmon se kjo vlen edhe për “moralistët e zhurmshëm të së majtës”.

“Volteri ka thanë një herë se kur janë në pyetje paratë, të gjithë njerëzit kanë një fe. E pra, Chomsky me dallaveret e tij me Epstein, na dëshmon se kjo është e vërtetë edhe për moralistêt e zhurmshëm lleftistë”, thekson Latifi.

Dy muaj më parë, presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi legjislacionin që udhëzon Departamentin e Drejtësisë të publikojë të gjitha dosjet nga hetimi i Jeffrey Epstein.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme