Lajme

Lazim Destani, ndihma për Festën e Bajramit mijëra familje në nevojë

Filantropi dhe biznesmeni nga Tetova Lazim Destani dhe kompania që drejtohet nga familja e tij, Ecolog International vazhdon traditën e tyre të përvitshme të bamirësisë në prag të Bajramit të Madh, duke ndihmuar mijëra familje në nevojë në Tetovë, në Maqedoninë e Veriut dhe komunat e tjera përreth. Përmes kësaj forme ndihme, përfituesit kanë mundësinë të zgjedhin vetë produktet ushqimore dhe higjienike që u nevojiten, duke ruajtur kështu dinjitetin dhe pavarësinë e tyre. Pas zgjedhjes së produkteve, ata mjaftojnë të paraqesin kuponin në kasë dhe kështu mund të marrin ushqimet e tyre, në prag të kësaj feste të shenjtë.

Nëpërmjet rrjeteve të tij sociale, vetë Z.Destani njoftoi se po vazhdon tradita e përvitshme, e ndarjes së kuponave me familjet në nevojë: “Në këtë Muaj të Shenjtë e në prag të Bajramit të Madh, kur solidariteti merr kuptimin më të bukur, ndihem thellësisht mirënjohës për ekipin e kompanisë sonë Ecolog, që edhe këtë vit, përmes shpërndarjes së mijëra kuponëve me vlerë sjellim ndihmë për qindra familje në nevojë. Çdo akt i tillë është një dëshmi se humanizmi jeton mes nesh dhe se së bashku mund ta bëjmë ndryshimin. Dhembshuria dhe solidariteti janë vlera të larta njerëzore, që duhet t’i kultivojmë e t’i ndjekim gjithmonë”-thuhet në mesazhin e Z.Destani në Facebook.

Mësohet se çdo familje merr 10 kupona, që në total përmbajnë 10.000 dinarë maqedonas (mbi 160 euro), që i tërheqin në fund të muajit të Ramazanit dhe në prag të ditës së Bajramit.

Kjo nismë bamirësie e kompanisë Ecolog dhe familjes Destani synon të sjellë lehtësim konkret për familjet që përballen me vështirësi ekonomike, veçanërisht gjatë festave. Por, kujtojmë se gjatë viteve, familja Destani dhe kompania Ecolog janë gjendur pranë familjeve shqiptare, në momente të vështira për ta.

Më herët, gjatë pandemisë së COVID-19, Ecolog dhe Lazim Destani kanë shpërndarë gjithashtu mijëra kuponë për familjet në nevojë, duke ndihmuar në përballimin e situatës së vështirë ekonomike që preku shumë qytetarë.

Në të njëjtën periudhë, pas kalimit të mësimit në formë online, ata ndërmorën një tjetër iniciativë të rëndësishme duke siguruar mijëra tableta për nxënës në të gjitha trojet shqiptare, nga Korça deri në Mitrovicë, me qëllim që arsimi të vazhdonte pa ndërprerje për fëmijët që nuk kishin mundësi teknologjike.

Një tjetër moment i rëndësishëm i angazhimit të tyre humanitar ishte pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, kur Lazim Destani ishte ndër të parët që reagoi, duke sjellë ndihma të shumta materiale dhe kontenierë për strehimin e familjeve të prekura.

Përmes këtyre nismave të njëpasnjëshme, Lazim Destani dhe kompania Ecolog vazhdojnë të promovojnë vlerat e solidaritetit, duke u bërë shembull i përkushtimit ndaj komunitetit dhe ndihmës ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.

Të Ngjashme