Lajme

 LDK dhe Osmani: A po vjen përkrahja? Analiza e njohësve të politikës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se në takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nuk është arritur marrëveshje lidhur me postin e presidentit, ndërsa vendi po i afrohet afatit kushtetues për zgjedhjen e tij.

Pas takimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku deklaroi para mediave se gjatë bisedimeve nuk janë paraqitur emra konkretë dhe as propozime zyrtare për kandidaturën për president.

“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, u shpreh ai.

I pyetur për mundësinë e mbështetjes së presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Abdixhiku tha se LDK-së nuk i është propozuar asnjë emër për të kërkuar votat e saj.

“Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani”, deklaroi Abdixhiku.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po afrohet, ndërsa mbetet e paqartë nëse partitë politike do të arrijnë një konsensus në ditët në vijim.

Salihaj: Mosrefuzimin e zonjës Osmani, mendoj se ky qëndrim është në rregull dhe hap rrugë për zgjedhjen e saj presidente

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një përgjigje për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e Lumir Abdixhiku se LDK nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt, përfshirë edhe zonjën Osmani.

Salihaj vlerëson se mosrefuzimi i Vjosa Osmanit është qëndrim i drejtë dhe ndihmon në shmangien e një krize politike. Megjithatë, ai shpreh dilema për deklaratën se LDK “nuk refuzon askënd”, duke theksuar se përkrahja blanko për çdo kandidat, pa e ditur kush është dhe çfarë qëndrimesh ka, mund të jetë e papërshtatshme dhe e dëmshme për Kosovën.

Image
Adem Salihaj

“Lumir Abdixhiku paska deklaruar se LDK nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt, aqë më pak ndaj zonjës Osmani. Sa i përket qëndrimit për mosrefuzimin e zonjës Osmani, mendoj se ky qëndrim është në rregull dhe hap rrugë për zgjedhjen e saj presidente, duke evituar një krizë të rrezikshme për Kosovën, në këto zhvillime mjaft dramatike, madje edhe të rrezikshme.

Por, nuk e di saktë çka nënkupton kjo se nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt, a nënkupton kjo që LDK nuk do të refuzonte, po e zëmë edhe ndonjë kandidat, i cili do të kishte disponim jo të mirë, jo vetëm për LDK-në, por edhe për vetë Kosovën? Në një rast të tillë, ky qëndrim nuk do të ishte i arsyeshëm, por i dëmshëm.

Tash, ne ende nuk e dijmë as qëndrimin e saktë të Kurtit se cili do të jetë kandidati i tij, respektivisht i Vv-së apo koalicionit.

Por, gjithsesi, mendoj se dhënia e një përkrahjeje blanko nga LDK-ja për cilindo kandidat, pa e specifikuar cili është ai, nuk do të ishte në rregull, as i mirë për Kosovën”, deklaron Salihaj.

Rexhepi: Abdixhiku nuk dha “po”, por as “jo”

Anëtari i Guxo, Agim Rexhepi, për “Bota sot” komenton se takimi mes Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku përfundoi pa marrëveshje, por me sinjale politike.

Image
Agim Rexhepi

Sipas tij, deklarata e Abdixhikut për mosrefuzimin e Vjosa Osmanit shihet si mesazh politik që tregon: Osmani mbetet figurë konsensuale, LDK-ja nuk dëshiron të pengojë stabilitetin, dhe VV-ja po teston terrenin para formalizimit të kandidaturës.

Takimi mes Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku përfundoi pa marrëveshje konkrete, por jo pa sinjale politike.

Deklarata e Abdixhikut se “nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani” është më shumë se një përgjigje teknike – është një mesazh i koduar politik.

Çfarë nënkupton kjo?

LDK-ja nuk po e refuzon Vjosa Osmani. Përkundrazi, po e mban të hapur mundësinë e mbështetjes, duke e pozicionuar veten si faktor kyç në proces.

Kjo tregon tri elemente të rëndësishme:

– Osmani vazhdon të mbetet figurë me potencial konsensual.

– LDK-ja nuk dëshiron të shihet si pengesë e stabilitetit institucional.

– VV-ja po teston terrenin para se të formalizojë një kandidaturë”.

A po teston Kurti mbështetjen?

Në fund, Rexhepi u shpreh se Albin Kurti po teston mbështetjen për kandidaturën e Vjosa Osmani përmes një procesi konsultativ.

Ai tha se pa një emër konkret të propozuar, kjo tregon se negociatat janë të hapura dhe Osmani mbetet figura kryesore me shanse të larta suksesi nëse sigurohet mbështetja paraprake.

“Fakti që nuk është propozuar ende një emër konkret sugjeron se Kurti po zhvillon një proces konsultativ për të matur numrat dhe gatishmërinë politike.

Kjo është strategji klasike:

Së pari matje;

Pastaj formalizim.

Nëse mbështetja sigurohet paraprakisht, kandidatura e Osmanit do të hynte në votim me probabilitet të lartë suksesi.

Pra, Abdixhiku nuk dha “po”, por as “jo”.

Në politikë, kjo zakonisht do të thotë: negociatat janë të hapura.

Ndërkohë, Osmani mbetet figura që, edhe pa u përmendur zyrtarisht, është në qendër të llogaritjeve politike” – përmbylli ai për gazetën.

Të Ngjashme