
Deputetja e betuar e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka akuzuar Albin Kurtin për uzurpim të zyrës së kryeministrit.
Kjo vjen pasi kryeministri në detyrë ka deklaruar se Kushtetua po shkelet.
“KUR KUSHTETUTA INTERPRETOHET SIPAS QEJFIT – Albin Kurti sot paska guxuar të flasë për shkelje të Kushtetutës, ndërkohë që ai vet e ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit, pa pasur shumicë parlamentare dhe jashtë çdo norme kushtetuese. Ai e quan mosbindjen e deputetëve ndaj vullnetit të tij personal ‘shkelje të Kushtetutës’! Kjo është logjika e një njeriu që e sheh veten mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën. Vetëm gjatë mandatit të kaluar, Albin Kurti dhe Qeveria e tij kanë shkelur Kushtetutën të paktën 10 herë”, ka shkruar Lushaku-Sadriu në Facebook.
“Ja disa raste flagrante:
Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës;
Ndërhyrja në komunën e Kamenicës për reformën në arsim;
Ligji për zyrtarët publik;
Ligji për pagat;
Ligji për masat e përkohshme në treg;
Shkarkimi i Bordit të RTK-së;;
Shkarkimi i Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil
Shkarkimi i anëtares së Bordit të OSHP-së;
Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme;
Ligji për Këshillin Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.
Nuk ka kushte më të rënda për demokracinë se kur një Kryeministër në detyrë e përdor Kushtetutën si vegël pushteti”, përfundoi ajo.