Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media të premten në orën 11:30, para objektit të KEDS-it dhe KESCO-s.
Kjo konferencë vjen pas deklaratave të zyrtarit të LDK-së, Visar Azemi, i cili ka ngritur shqetësime për mënyrën se si po maten tarifat e energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas Azemit, një hulumtim i realizuar nga kjo parti, ku janë testuar mbi 800 njehsorë në Prishtinë dhe Ferizaj, ka treguar se 87 për qind e tyre nuk e matin kohën në mënyrë të saktë, duke bërë që qytetarët të paguajnë më shumë, përkatësisht me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve kur duhet të aplikohet tarifa e lirë.
Ai e ka cilësuar këtë si mashtrim dhe ka kërkuar dorëheqjen e bordit të ZRRE-së, si dhe nisjen e hetimeve penale.
Nga ana tjetër, KEDS-i ka reaguar duke theksuar se njehsorët elektrikë janë të besueshëm dhe të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare, duke mohuar çdo pretendim për matje të gabuar të energjisë elektrike.
